Nga Alfred Peza
Kanë një përkim shumë interesant ndonjëherë disa data, aq sa kombinacioni i ngjarjeve që lidhen me to, bën që të besosh vërtetë tek teoritë konspirative, apo tek ekzistenca një dorë te padukshme që luan në prapaskenë, të gjitha fijet e historisë.
I tillë mund të konsiderohet ndoshta edhe 5 maji, që njihet më së shumti në Shqipëri si dita e dëshmorëve. Datë kjo në përkujtim të rënies së një komunisti të ri e idealist, i quajtur Qemal Stafa, i cili u vra në këtë ditë të vitit 1942. Në 5 maj të çdo viti pranë lapidarëve, busteve, monumenteve, përkujtimoreve dhe varrezave të dëshmorëve, pasaardhësit dhe familjarët e të rënëve, organizatat dhe drejtuesit politikë të shtetit dhe qeverisjes qëndrore a lokale, bëjnë homazhe dhe vendosin kurora me lule.
Ishte kjo arësyeja se përse demokratë e socialistë, miq dhe armiq aktualë politikë, komunistë dhe antikomunistë, u drejtuan këtë të shtunë drejt monumentit “Nënë Shqipëri” tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, për tu bërë nderimet e rastit. E kur për të njëjtin qëllim e në të njëjtin vend e orë, shkojnë përfaqësuesit të të gjitha rrymave dhe sensibiliteteve politike përgjatë historisë sonë, fatkeqësia është se skena si ajo e enveristëve që u përleshën më hunj me demokratët, duken si të pashmangshme.
E kur ka dhunë, ka edhe lajm. E kur ka lajm, ka edhe vëmendje të shtuar publike. Aq më tepër që kjo datë këtë vit, nisi të përkujtohej 48 orë më përpara. Atëherë kur pasi dorëzimi i mandatit të deputetit nga ana Saimir Tahirit, u shoqërua me një meme interesante në rrjetet sociale. Në foton me bustin e Qemal Stafës, ishte shkruar: Saimir Tahiri, Hero i Popullit- 1979- 2018. Kjo për shkak se ish ministri i Brendshëm, nisi ti ngjiste shkallët e epërme të karrierës politike, duke u zgjedhur në krye të fondacionit Qemal Stafa në PS.
Pakkush u kujtua në Shqipëri, që të kujtonte këtë 5 maj edhe 200 vjetorin e lindjes së Karl Marksit (1818). Por atë që nuk e bënë shqiptarët, të cilët janë ushqyer për gjysëm shekulli me radhë me ideologjinë dhe filozofinë e tij, e bënë çuditërisht gjermanët. Në vendlindjen e tij në Trier, një qytet i vogël gjerman pranë Moselit, u vendos një monument i ngjashëm me atë të Qemal Stafës sonë. Arësyeja është shumë e thjeshtë: Trieri nderoi bashkqytetarin, falë të cilit tashmë është i famshëm dhe turizmi përbën sot, të ardhurat e tij kryesore.
Aktiviteti më i rëndësishëm, ndoshta ka qenë një mbledhje e posaçme e qeverisë kineze, kushtuar Karl Marksit që e ka vlerësuar lart ndikimin e filozofisë së tij në rrjedhat e historisë moderne. Ky hap nuk mund të konsiderohet ndonjë surprizë e madhe, po të kemi parasysh se Kina e sotme, pavarësisht se nga ana ekonomie është një vend kapitalist, nga ana politike vazhdon të jenë një shtet monopartiak, komunist e autoritar.
Habia më e madhe këtë radhë, vjen nga një ekonomi tjetër e madhe. Më e madhja e Europës, e që është një vend pluralist, demokratik dhe kapitalist po e po. E kam fjalën për Gjermaninë e Karl Marksit. Për ta kuptuar më mirë, se çfarë po ndodh me 5 majin e këtij viti në përkujtim të dy shekujve të linjdes së atij që i dha emrin ideologjisë së shekullit të XX, mjafton që të risjell këtu, përmbylljen e një shkrimi interesant të medias shtetërore gjermane “Deutsche Welle”:
“Në vitin 1883 Karl Marksi ndërroi jetë në Londër. Një filozof plot kundërshti, një njeri që kishte shumë ide teorike, por që praktikën nuk e mori shumë seriozisht. Në këtë 200-vjetor të lindjes, Karl Marksi përkujtohet më miqësisht në Gjermani. Po fillohet të kuptohet, se ai nuk është përgjegjës për gjithçka u krye në emër të veprës së tij”.
Uroj që bashkë me gjermanët, këtë të fillojnë ta kuptojnë edhe ata që u zunë me hunj këtë 5 maj, në Tiranë.
a.c