Nga dëgjesa publike me banorët e kryeqytetit, kryeministri Edi Rama foli për dy çështje mjaft të rëndësishme, marrja e rekomandimit për çeljen e negociatave dhe procesin e vettingut.
Rama u shpreh se rekomandimit erdhi pas reformave të qeverisë, një prej tyre ajo në drejtësi.
Madje ai paralajmëroi politikanët e korruptuar se do të vendosen pas hekurave.
Sipas Ramës ata do të paraqiten në gjykatë apo prokurori për të provuar pafajësinë e tyre.
“Vettingu këtë qëllim ka, të pastrojë sistemin dhe në pallatin e ri të drejtësisë të hyjnë gjykatës dhe prokurorë të cilët të drejtës i thonë e drejtë dhe të padrejtës e padrejtë, ata gjykatës e prokurorë të çliruar nga kthetrat e politikës, të vendosur në pozicionet e tyre falë meritës do ndajnë shapin nga sheqeri. Ata që sot ikin, do jenë të detyruar të kthehen, jo si gjykatës e prokurorë, por si individë që duhet të japin llogari para drejtësisë shqiptare për çfarë kanë bërë.
Politikanët nga më i gjati deri tek më i shkurtri do duhet të mos mjaftohen duke thënë unë jam i ndershëm, ai është hajdut, por të provohen si të tillë kur të paraqiten në gjykatë apo prokurori, kur ato të jenë pastruar nga llumi i një çerek shekulli”, tha Rama. /b.d