Skuadra e Monacos në Ligën e Parë në Francë po monitoron me shumë kujdes situatën e David Luizit te Chelsea, me shpresën që gjatë afatit kalimtar të verës do të arrijë të transferojë në Principatë mbrojtësin brazilian.
E ardhmja e 31-vjeçarit në “Stamford Bridge” lidhet ngushtësisht me atë që do të ndodhë me Antonio Conten, pasi marrëdhënia e tij me trajnerin italian ka qenë gjithmonë e tendosur.Në momentin që drejtuesit e Monacos do ta kuptojnë që futbollisti është në shitje, do t’i paraqesin menjëherë një ofertë presidentit Roman Abramovich.
Nëse Conte largohet nga Chelsea, sikurse janë të gjitha gjasat, David Luiz mund të kërkojë qëndrimin për të fituar një vend titullari te blutë e Londrës, në të kundërt, largimi i tij është i pashmangshëm. Edhe nëse italiani do të prishë marrëveshjen me Chelsean, duhet kuptuar nëse trajneri që do ta pasojë e ka në plane brazilianin, transmeton SS.
David Luiz e humbi besimin e Contes pas dy ndeshjeve të grupeve të Champions përballë Romës, me Chelsean që pësoi në total 6 gola, duke marrë vetëm një pikë më “Stamford Bridge”.
Ndeshja e fundit ku David Luiz është aktivizuar në Premier League është ajo e 2 shkurtit në humbjen e thellë 4-1 në fushën e Watfordit. (b.an)