Sterilizimi edhe në Durrës, ulen infeksionet spitalore. Manastirliu prezanton projektin, nis investimi edhe për rehabilitimin e Pediatrisë
Durrës, 13 Prill – Spitali i Durrësit është pajisur me mamografi të re, grafi e fluoroskopi, grafi të lëvizshme dhe një sërë aparaturash të reja biomjekësore me vlerë 780 mijë euro që pasurojnë flotën e aparaturave të këtij spitali dhe garantojnë standart të lartë për ekzaminimet për qytetarët. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi sot spitalin rajonal të Durrësit ku deklaroi se jo vetëm ky spital por të gjithë spitalet rajonale do të ketë këtë vit investime të rëndësishme. “Nisim nga Durrësi investimet madhore për fuqizimin e spitaleve rajonale në infrastrukurë dhe pajisje biomjekësore, duke garantuar më shumë cilësi shërbimi afër vendbanimit të qytetarëve. Shembullin e QSUT do ta replikojmë në të gjithë spitalet e vendit. 4.5 milion euro janë investimet në aparatura në spitalet rajonale për këtë vit, për të garantuar shërbim me cilësi afër vendbanimit të qytetarëve”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u ndal edhe tek centrali i ri i sterilizimit, një investim 1.2 milion euro që ka sjellë një standart të ri të sterilizimit dhe instrumenteve kirurgjikalë. Kirurgët u shprehën se me nisjen e këtij programi janë reduktuar infeksionet spitalore, kryesisht ato post-operatore, ndërsa Ministrja Manastirliu deklaroi se ky investim do të shtrihet në të gjithë spitalet e vendit. “Sterilizimi dhe instrumentet e rinj kirurgjikalë kanë sjellë një epokë të re në kirurgjinë shqiptare, duke krijuar një standart të lartë të ofrimit të shërbimit dhe duke rritur sigurinë për pacientët me uljen e infeksioneve spitalore. Ky cetral do të shërbejë për 10 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit që kryhen në spitalin e Durrësit dhe spitalet e Krujës dhe Kavajës”, tha Manastirliu.
Ministrja lajmëroi gjithashtu nisjen e investimit për rehabilitimin e Pediatrisë. “Investimet në spitalin Rajonal Durrës këtë vit zgjerohen edhe me ndërhyrjen në infrastrukturë. Pas shumë vitesh, Pediatria e Spitalit të Durrësit do ti nënshtrohet rehabilitimit të plotë”, tha Manastirliu.
Investimi me vlerë 262 milion lekë që nis këtë vit në Pediatri, do të mundësojë edhe krijimin e ambjenteve të reja për spitalin e fëmijëve. Ministrja Manastirliu deklaroi nga Durrësi se ky është viti i investimeve për fuqizimin e spitaleve rajonale për të ofruar shërbim me cilësi afër vendbanimit të qytetarëve.