Nikolin dhe Vera Gruda, ndonëse një çift në pension, u bënë nismëtarë të ndryshimit që ka prekur cilësinë e jetës të të gjithë banorëve të pallatit ku jetojnë. Së bashku me administratorin e pallatit, Edmond Trako, ata bindën edhe banorët e tjerë që të shfrytëzonin mundësinë e ofruar nga Bashkia e Tiranës dhe duke përfituar nga Fondi i Komuniteteve mundën të rikonstruktonin pallatin e tyre, i cili sot është transformuar plotësisht. Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, tha se ky transformim vjen si produkt i bashkëpunimit mes bashkisë dhe komunitetit të banorëve.
Ai theksoi se falë “Fondit të Komuniteteve”, banorët kanë përfituar një pallat estetikisht më të mirë, por edhe si rrjedhojë e termoizolimit, do të harxhojnë më pak për ngrohjen. “Projekti që sapo inspektuam jo vetëm që e ka ndryshuar veshjen e jashtme të pallatit, por ka bërë edhe një termoizolim të ndertësës. Do të thotë që çdo familje i ka ulur faturën e energjisë elektrike si në dimër për ngrohje, ashtu edhe në verë për ftohje. Pra, në punë muajsh, investimi nxjerr veten e vet vetëm nga kursimi që i ndodh faturës së energjisë elektrike”, tha ai. Por, që ky projekt të shtrihet edhe më tej në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj theksoi se është e domosdoshme që pallatet të zgjedhin kryesitë dhe administratorët e tyre. Ndaj, ai ftoi banorët e pallateve që ende nuk e kanë përfunduar procesin e zgjedhjes së administratorit, ta bëjnë sa më parë, pasi do jetë pikërisht ai që duhet të bëjë aplikimin për të përfituar nga Fondi i Komunitetit. “Ftesa ime për të gjithë banorët është që të bëhen bashkë, të zgjedhin një administrator dhe ky administrator më pas vjen në bashki dhe bashkëfinancojmë projekte si ky që kemi sot. Shikoni fare mirë kontrastin e një pallati me administrator dhe një pallati pa administrator; do të thotë, ku ka administrator ka organizim”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj theksoi se deri më tani procesi i zgjedhjes së kryesive dhe administratorëve ka ecur me ritme të kënaqshme, çka ka ulur ndjeshëm problematikat që shqetësonin banorët dhe që kanë të bëjnë çështje të përditshmërisë së tyre. “Në Tiranë kemi rreth 3000 pallate të cilat janë mbledhur, kanë zgjedhur një kryesi, kjo kryesi ka zgjedhur një administrator dhe ky administrator tani po kujdeset për hyrjen, derën me çip, mirëmbajtjen e ashensorit, pompën, tarracën, pastrimin, ndriçimin, gjëra të vogla që shkaktojnë stres në komunitet”, vijoi ai. Administratori i pallatit, Edmond Trako tregoi se si pasojë e këtij bashkëpunimi mes banorëve dhe Bashkisë së Tiranës, pallati ka ndryshuar plotësisht, ndërsa theksoi investimi ka rritur jo vetëm komoditetin, por edhe vlerën e pronës. “Pallati ka qenë në gjendje krejtësisht ndryshe. Jo më shumë se para disa muajsh, që nga pastrimi i shkallëve, dera e hapur në mënyrë të vazhdueshme etj, etj. Mbi të gjitha, investimi mundësoi termoizolimin. Brenda pak muajve banorët e ndjenë ndryshimin, qoftë në aspektin e mikroklimës që kanë në shtëpi, duke e mbyllur ngrohjen qysh në muajin shkurt”, tha Troka.
a.ç