Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vjet burg një shpërndarës picash në kryeqytet, të akuzuar për përndjekjen e një 17-vjeçareje.
Nga kliente për picat, Klauden Muçogllava ka kërkuar lidhje intime, duke mos ngurruar ta kërcënojë me jetë të renë dhe familjarët e saj.
Fiksimi për të krijuar lidhje dashurie me një prej klientëve të tij i ka kushtuar një dënim me 5 vite burg një 27 vjeçari, që punonte si shpërndarës picash në Tiranë. Klauden Muçogllava është kthyer në “ferrin” e një 17-vjeçareje në Shtator të vitit 2017, të cilën e kishte njohur pasi i kishte dërguar disa pica në shtëpi.
Ai ka kërkuar me ngulm krijimin e një lidhjeje dashurie. Për këtë kërkesë 27-vjeçari i ka dalë vajzës me iniciale M. G. çdo ditë përpara në rrugë duke i thënë “po s’u bëre e imja, unë të vras”.
Terrori psikologjik ka vijuar me sms dhe telefonata me përmbajtje kërcënuese. ABC News zotëron një kopje të vendimit të gjykatës, ku zbardhet një prej tyre.
“Do të vij tani tek shtëpia dhe do të vras dy edhe mamanë tënde. Nuk dua t’ia di për burg dhe nuk e kam problem të bëj përsëri. Kam tre vëllezër do to të bëjnë keq ty dhe mamasë tënde. Nuk ke zgjidhje, o të marr ty, o s’ka zgjidhje tjetër”.
Sipas gjykatës, 27 vjeçari ka shkuar tek banesa e vajzës, ku ka konsumuar edhe një vepër tjetër penale. Ai ka goditur me levë një prej efektivëve të një patrulle policie, të lajmëruar nga familjarët e vajzës për vizitën e padëshiruar.
Pas arrestimit, atij i janë gjetur edhe një sasi prej 29 gramë kanabis me vete, duke u bërë shkak për një akuzë të tretë. Në përfundim të gjykimit Muçogllava u fajësua për “përndjekje”, “kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Ai do të vuajë vetëm 3 vjet e 8 muaj burg, për shkak se përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar./abcnews.al/a.m.