Ministri i Jashtëm gjerman ka thënë se pavarësisht humbjes së besimit në Rusinë, shteti i tij është i gatshëm që të vazhdojë dialogun me Moskën, në përpjekje për të zgjidhur konfliktet rajonale.
“Nuk ka diskutim- besimi është humbur për shkak të veprimeve të Rusisë në vitet e fundit”, ka thënë Heiko Maas, në një intervistë të publikuar sot në gazetën gjermane Bild am Sonntag.“Në të njëjtën kohë, ne na nevojitet Rusia si partner, për shembull për të ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve rajonale, për çarmatim dhe më e rëndësishmja si një shtyllë e rendit multilateral”, ka thënë ai.
“Prandaj, ne jemi të hapur për dialog pikërisht për këto arsye dhe shpresojmë që të rindërtojmë besimin hap pas hapi, nëse Rusia është po ashtu e përkushtuar për një gjë të tillë”, ka shtuar Maas.
Gjermania i është bashkuar aleatëve perëndimorë në dëbimin masiv të diplomatëve rusë, për shkak të dyshimeve se Moska qëndron prapa sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani.
Për këtë sulm, Britania e akuzon Rusinë, por Moska mohon çdo përfshirje në të.
ma.me