Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka inspektuar Burgun e Peqinit. Ajo dha një deklaratë për mediat gjatë së cilës vuri theksin te integriteti dhe profesionalizimi i punonjësve të burgjeve.
Gjonaj tha se në këtë institucion janë konstatuar rreth 100 punonjës me rekorde kriminale, ndërsa 70 prej tyre janë të papërshtatshëm për pozicionet që mbajnë.
“70 punojës janë të papërshtatshëm me pozicionet e tyre, ndersa 100 punonjës janë me rekorde kriminale të cilët nuk duhet të ishin në sistemin e burgjeve”, u shpreh Gjonaj.
Ministrja theksoi se nuk do ketë tolerancë për rastet korruptive në burgje, ndërsa theksoi se sfidë mbetet edhe forcimi i masave të sigurisë. “Nuk kam asnjë lloj tolerance me akte korruptive, përcillini stafeve dhe do të procedohen penalisht. Vetëm për periudhën janar-shkurt janë proceduar 20 punonjës.
Rastet e korrupsionit në sistemin e burgjeve kanë qenë të jashtëzakonshme. Nuk kemi probleme me Drejtorinë e Burgut. Çdo muaj do bëjmë inspektime me institucionet dhe përcjellim mesazhe. Reforma në burgje është një prioritet i ministrisë së Drejtësisë. Reforma legjislative që ka të bëjë me ndryshimin e legjislacionit. Përmirësimi i statusit të policisë së burgjeve. T’u japim status punonjësve të policisë së burgjeve si në aspektin financiar ashtu edhe në plotësimin e kushteve e mjeteve të nevojshme.
Prioritete të ndryshojmë fytyrën e sistemit të burgjeve, me sistemet e sigurisë nuk ka tolerime. Çdo lloj mjeti i paligjshëm që kapet, ka nga prapa një punonjës burgu. Po forcohet siguria në burgje. Ka pasur raste të korrupsionit në burgje, favorizime duke filluar që nga polici deri tek drejtuesit”, tha Gjonaj.
Ministrja e Drejtësisë paralajmëroi ndryshime edhe sa i takon rekrutimit të punonjësve, ndërsa ftoi ish-ushtarakët dhe ish-punonjësit e policisë. “Nuk do të ketë më punonjës të emëruar nga drejtori apo ministri por nëpërmjet akademisë së sigurisë. Me qëllim që jo vetëm të jenë të pa ndikuar politikisht por të aftë profesionalisht. Po nxisim ish-ushtarakët dhe ish-punonjësit e policisë për t’u rekrutuar si punonjës pranë Burgjeve”. /a.m.