Nga Mero Baze/
Në kulmin e një skandali ndërkombëtar në qendër të të cilit është financimi i paligjshëm i Partisë Demokratike përmes dy biznesmenëve rusë, që kanë paguar tek lobisti i PD në Uashington, Lulzim Basha po përpiqet të japë mesazhe të gabuara për mënyrën se si duhet ta përballojë këtë situatë.
Ajo që po bën, është së pari në kundërshtim me histori të ngjashme në familjen e tij politike.
Lulzim Basha përpiqet ta kalojë skandalin brenda partisë pa i hyrë gjemb në këmb. Ndërkohë, në familjen e tij politike, bota ka një shembull të dhimbshëm se si e pagoi CDU gjermane, gjestin e kollosit të saj, kancelarit Helmut Kohl, i cili pranoi financime të padeklarauara për partinë e tij. Edhe pse Helmut Kohl nuk u vendos kurrë nën akuzë për abuzime personale me ato fonde, ai u ndëshkua rëndë nga partia e tij, edhe pse ishte kancelari më historik i Gjermanisë, që bëri të mundur ribashkimin dhe rriti emrin e Gjermanisë në botë.
Partia e tij CDU, i hoqi atij titullin “President nderi” i partisë dhe Merkel mbajti një qëndrim të fortë distancues ndaj tij. Ai gati u poshtërua prej partisë së tij me neveri, për një gjest, i cili në thelb e kishte ndihmuar atë parti, por në mënyrë jo transparente. Dhe reperkusionet nuk ndalën aty. Parlamenti i Gjermanisë i mbajti CDU buxhetin prej 21 milionë euro, për shkak të kësaj mungese transparence dhe më pas po kryetar i parlamentit mori vendim për ta gjobitur CDU me 41,4 milionë marka, vendim të cilin ajo e ka ankimuar, por nuk e ka fituar në asnjë shkallë.
Kjo është sjellja e një partie të përgjegjshme ndaj një kryetari të papërgjegjshëm, i cili në të vërtetë ka shumë mundësi që në vend të rusëve, i ka paguar vetë ato para, por ngaqë janë para të zeza, nuk ka ditur si t’i paguajë, dhe i ka paguar në emër të rusëve.
Në vend të këtij gjesti, ne kemi një përpjekje të Sali Berishës për t’u mbyllur gojën kritikëve brenda PD-së në këtë rast. Ai u përpoq t’u japë sinjal kritikëve të Bashës, se nëse vazhdojnë t’i përmendin këtë skandal, janë duke bërë punën e Edi Ramës. Ky është një sinjal që vë në provë pavarësinë e kritikëve të Bashës nga Berisha dhe mbi të gjitha, fuqinë që ka patronati i Berishës mbi Bashën, por akoma më keq, tregon mendësinë e një partie, ku aleancat bazohen mbi mbrojtjen e një krimi.
Gjesti tjetër i karshillëkut ka të bëjë me familjen e tij biologjike. Si ndodh rëndom në Shqipëri, kur një politikan vihet nën akuzë, ai përpiqet të duket i qetë dhe ekspozon anën rozë të jetës së tij, dreka apo darka me familjen, apo njerëz të dashur. Edhe Lulzim Basha kështu bëri dje. Ai mori vjehrrin, vjehrrën, kunatin dhe gruan, dhe shkuan drekuan në Belsh “të qetë”, për inat të armikut.
Ai nuk nguroi vetë që t’i shpërndante fotot përmes zëdhënëses së vet dhe ta quante “fundjavë ndryshe me familjen”.
Të gjithë ata që e kritikojnë pse ajo nuk është familja biologjike e tij, por është familja e gruas, duhet të kuptojnë mesazhin e qartë të tij. Njeriu zgjedh për familje atë që ndihet mirë dhe atë që i duhet të ekspozojë në raste të tilla. Të gjitha gjërat në jetë Lulzim Basha i ka nga kjo familje, dhe jo nga ajo biologjike. Nga kjo ka shkollimin, punësimin, karrierën dhe menaxhimin e pushtetit. Të gjitha aferat financiare ai i ka pikërisht me këtë familje. Kjo është familja që mori 14 milionë euro për pallatin në Vlorë, kjo është familja që merrej me lejet e ndërtimit apo tenderat kur ishte ministër, kjo është dhe familja që e shoqëroi në SHBA, kur shkonte për të paguar foton me Trump nga llogaria e rusëve.
Pra, gjesti i tij nuk kishte për qëllim t’u hiqte kuriozitetin shqiptarëve që të njihnin vëllain e tij, në vend të kunatit, babain e tij, në vend të vjehrrit, apo nënën e tij, në vend të vjehrrës. Ato për Bashën nuk kanë rëndësi. Ai thjesht donte t’u tregonte se ata janë të bashkuar në këtë ditë të keqe, dhe janë “të qetë” nga ky skandal. Aq të qetë, sa shumicës së njerëzve ua jepte dorën Xhafa(vjehrri) në vend të Lulit.