Pas publikimit të investigimit të medias amerikane për lidhjet e PD me Rusinë dhe financimin e kompanive lobuese për ta promovuar atë në Uashington, ka reaguar edhe Lulzim Basha
I ftuar në opinion, Basha deklaroi se artikulli është shkruar nga një kompani ekstremiste e majtë dhe është paguar nga Edi Rama
“Kontratat e lobimit të PD janë bërë publike para autoriteteve amerikanë. Artikulli është i paguar dhe porositur nga Edi Rama. Bëhet fjalë për një gazetë ekstremiste të majtë. Është revistë me agjendë politike. Kemi shpenzuar për lobim 125 mijë dollarë për një periudhë tre mujore. Mbaj përgjegjësi për deklaratat. Konkluzioni është i paracaktuar nga Edi Rama”, deklaroi Basha
Basha insistoi se ky shkrim është sponsorizuar nga Rama për të larguar vëmendjen nga kapja e 613 kg kokainë.
Por ndryshe nga sa thotë Basha, kujtojmë se kompania e lobimit, Muzin, ka deklaruar se është paguar rreth 600 mijë dollarë.
Kreu i demokratëve theksoi gjithashtu se PD po shqyrton mundësinë për të hedhur në gjyq revistën amerikane “Mother Jones” që ka bërë artikullin për lobimin rus.
“Po konsideroj ta hedh në gjyq. Ekspertët tanë ligjorë po shikojnë mundësinë ta hedhin “Mother Jones” në gjyq për pasaktësi dhe prishje të imazhit të Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.
Basha shpjegoi edhe përse tema e lobimit rus për llogari të SHBA “shpërtheu” në këtë moment.
Lulzim Basha: “Është çështje e shpërthyer për të hequr vëmendjen nga ngjarjet kryesore botërore të kësaj jave të Shqipërisë. Kjo ishte java kur Shqipëria kapi titujt botëror për ngarkesën rekord të kokainës. Është investigim i mbushur me insinuata”.
javanews.al/a.ç