BERLIN-Shqipëria do të ofrojë paketa të përbashkëta rajonale turistike për tregjet e treta. Kjo është risia e prezantuar nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë Panairit Ndërkombëtar “I.T.B Berlin Fair”, që po mbahet këto ditë në Gjermani.
I ftuar në Konferencën Ministeriale të Turizmit ku ishte zgjedhur për të folur mbi zhvillimin e turizmit, si përfaqësues i Ballkanit, ministri Klosi theksoi se tregu shqiptar është një treg i rëndësishëm, por duhet të jetë në bashkërendim me partnerët lokalë për të hartuar paketa të përbashkëta rajonale për tregun aziatik.
Duke vlerësuar panairin e Berlinit si një nga panairet më të rëndësishëm në botë, ministri Klosi shprehu kënaqësinë që tour operatorët shqiptarë dëshmojnë që gjithmonë e më shumë janë të pranishëm në këtë treg biznesi turizmi në Mesdhe.
Gjatë takimeve të shumta me investitorët të rëndësishëm, ministri Klosi mori garancinë se Shqipëria është në fokusin e tyre të interesit për të investuar në hotele dhe resorte me 4 dhe 5 yje. Ndërsa disa prej tour operatorëve më të mëdhenj në botë tashmë e kanë marrë vendimin për të hyrë edhe në Shqipëri. Megjithatë ministri Klosi theksoi se kapacitetet e hotelerisë vijojnë të jenë të cunguara dhe për këtë arsye Shqipëria akoma nuk arrin të plotësojë kërkesat e tregut.
Shqipëria përfaqësohet me stendën e saj me një prani të gjerë tour operatorësh nga vendi. Panairi Ndërkombëtar i I.T.B. Berlinit, është panairi më i madh i turizmit në Europë dhe një ndër më të mëdhenjtë në botë. Ky panair vizitohet nga 180 mijë vizitorë biznesi nga afro 200 vende të botës.
Fjala e ministrit Klosi
Berlini vazhdon të jetë panairi më i rëndësishëm ku mblidhen faktorë nga ministritë, biznesi turizmi dhe e gjithë bota. Më vjen shumë mirë që kemi një pjesëmarrje kaq të madhe të tour operatorëve shqiptarë, të cilët dëshmojnë që gjithmonë e më shumë po e marrin veten në këtë treg biznesi turizmi në Mesdhe. Ndihem shumë mirë që vetë personalisht kam kontaktuar disa nga tour operartorët më të mirë të mëdhenj në botë të cilët tashmë e kanë marrë vendimin që do të futen në Shqipëri.
Nuk ndihem mirë aspak si Ministri Turizmi që një pjesë shumë të madhe të këtyre kërkesave ne detyrohemi t’i refuzojmë pasi kapacitetet e hotelerisë në Shqipëri vazhdojnë të jenë të cunguara dhe një numër shumë i madh i kërkesave që vijnë nga operatorët e mëdhenj refuzohen fatkeqësisht, ndaj në këtë aspekt ne bashkë me të gjithë grupet e tour operatorëve shqiptarë po përpiqemi që të paraqesim një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri e cila ofron shumë herë më tepër potencial, ofron me tepër bukuri, ofron më tepër mundësi që të kemi një turizëm dhe jashtë sezonit.
Ndihem mirë që tour operatorët shqiptarë tashmë janë krejtësisht të barabartë me të gjithë tour operatorët e tjerë. Tregu shqiptar është një treg i rëndësishëm, por është një treg që duhet të jetë në bashkërendim me partnerët lokalë dhe për këtë arsye ne kemi pasur takime me ministra., institucione përgjegjës të politikave të turizmit në rajon dhe politika jonë e përbashkët për të krijuar paketa të përbashkëta, me partnerët serbë, malazezë, të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe për të pasur mundësi pastaj që këto politika të përbashkëta shtetërore të konvertohen në politika biznesi të përbashkëta të tour operatorëve, është një nga risitë e këtij panairi.
Ne po përpiqemi që të ftojmë sa më shumë tour operatorë rajonalë në këtë bashkërendim për të pasur mundësi që për tregun e madh aziatik, amerikan, pra për tregun e madh përtej oqeanit, ne të kemi mundësi që të afrojmë një rajon si një paketë e përbashkët turistike.