Partitë në pushtet ne Kosove janë në pritje të përgjigjes nga deputetët e Listës Serbe, në përpjekjen e katërt për ta ratifikuar demarkacionin.
Ato nuk kanë treguar nëse janë krijuar rrethanat që demarkacioni përfundimisht të votohet këtë javë, shkruan Koha Ditore.
Kjo për shkak të mungesës së edhe dy votave, në mënyrë që të arrihen dy të tretat aq sa duhen për t’i ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare.Burime të gazetës kanë thënë se partitë në pushtet janë duke pritur konfirmimin e Listës Serbe, i cili deri më tani ka munguar për shkak zhvillimeve në Beograd, ku të dielën u votua për zgjedhjet lokale. Sipas burimeve, gjatë javës pritet të ketë lëvizje pozitive me Listën Serbe, “ngase ka edhe presion ndërkombëtar në Beogradin zyrtar për votimin e demarkacionit”.
Kërkesa kryesore e Listës Serbe mbetet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “pa vonesa të mëtejme”, gjë për cilën është diskutuar edhe në takimin e fundit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. (b.an)