“Berlusconi ke skaduar”, ka ulëritur një vajzë e lëvizjes protestuese Femen me gjoksin e zbuluar duke hyrë në qendrën e votimit ku Silvio Berlusconi shkoi për të votuar në Milano. Kundërshtuesja, u largua më pas nga forcat e rendit.
Sikurse dihet Berlusconi u hetua para disa vitesh, për lidhjen e tij të mundshme intime me një minorene me origjinë egjiptjane, e njohur si Ruby, si dhe për një rrjet personash që organizonin festa me “drita të kuqe” në mega resortin e tij në Sardenjë.
Në të kaluarën, gjatë një takimi me Sali Berishën, Berlusconi ishte shprehur se Italia do të pranonte nga Shqipëria “vetëm vajza të bukura”.
Përpara se të votonte në Milano, udhëheqësi i Forza Italia kishte shpjeguar se në qendra votimi ka radhë sepse “nuk kemi arritur të krijojmë votën elektronike dixhitale. Këtu – shtoi ai – ka tre fletë dhe ka edhe të moshuar që kalojnë shumë kohë për të gjetur mënyrën se si votohet dhe për të palosur fletët”.
Deri në orën 12:00 pjesmarrja në qendrat e votimit në 7.958 komunat e Italisë ka qenë 19,43%. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 24 shkurtit 2013 (por asokohe u votua edhe të hënën) në orën 12 kishin votuar 14,9% e zgjedhësve (në 8.092 komuna). (Shqiptarja.com)