Kryedemokrati Lulzim Basha shprehet se qeveria “Rama” shpenzon para për luks dhe nuk mendon aspak për të varfrit ashtu siç mendonte qeveria “Berisha”.
Basha u ndal në Vorë ku thotë se ka dëgjuar disa dëshmi që e kanë tronditur. Sipas tij fëmijët hanë turshi në mëngjes gjatë qeverisjes “Rama” dhe se përjashtimi i mbi 20 mijë familjeve të varfra nga skema e ndihmës ekonomike është një fenomen kombëtar.
Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e PD-së, familjet që vizitoi Kryetari i Partisë Demokratike janë të gjitha të hequra padrejtësisht, siç është rasti i Sabri Vrionit, që jeton me familjen në një barakë.
Në bisedën mes tyre, ai i tregoi Bashës se ia hoqën ndihmën 4800 lekë, për shkak se nuk plotësonte pikët, ndërkohë që tregon gjendjen e mjerueshme të barakës dhe vajzat që po ushqehen në mëngjes me lakër turshi dhe qepë të njoma.
Kryetari Basha u shpreh se “Partia Demokratike nuk do të pranojë kurrë të hiqet buka e fëmijëve, në mënyrë që qeveria të shpenzojë paratë për luks”.
Ai tha se nëse qeveria do të hiqte dorë nga shpenzimet e luksit, ato do të ishin të mjaftueshme për të paguar ndihmën mujore të më shumë se 30 mijë familjeve në nëvojë.