Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për të pushuar hetimet ndaj ish-deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili u përfshi në një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi, në gusht të vitit të kaluar.
Sipas prokurorisë, e cila u bazua në dy akte ekspertimi, ish-deputeti Rakipi rezultoi i pafajshëm në atë aksident fatal për jetën e një kalimtari. Sipas ekspertëve, ndërprerja e menjëhershme e rrugës nga viktima si dhe fakti që Rakipi ka patur një fushëpamje të kufizuar për shkak se anës rrugës kishte ndaluar furgoni nga ku zbriti viktima, e zhveshin nga përgjegjësia ish-deputetin Rakipi.
Ndërsa, sa i takon faktit që ai u largua nga vendngjarja për t’u dorëzuar në Komisariatin e Policisë nr. 2 në Tiranë, argumentohet me gjendjen e rënduar psikologjike për shkak të aksidentit. Mësohet se edhe familjarë të viktimës kanë dhënë pëlqimin e tyre, duke deklaruar se nuk kishin asnjë rezervë për hetimet si dhe ndaj ish-deputetit Rakipi.
Në këto kushte, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë, duke vendosur pushimin e hetimeve ndaj Aqif Rakipit./a.m.