Presidenti Donald Trump kritikoi përsëri prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions, duke e cilësuar sjelljen e tij “të papranueshme”, që kërkoi zhvillimin e një hetimi se si zyrtarët u përpoqën të siguronin miratim për një mbikqyrje të fshehtë ndaj një ish zyrtari të fushatës së zotit Trump.
Zoti Trump e qortoi zotin Sessions, të cilin ai vetë e caktoi si kreun e Departamentit të Drejtësisë, se i kishte kërkuar inspektorit të përgjithshëm të agjencisë “të hetonte për mundësinë e shkeljeve masive” në aplikacionet e vëzhgimit për Gjykatën e Vëzhgimit të Zbulimit Federal.
Republikani Trump tha se hetimi i prokurorit të përgjithshëm “do të vazhdonte për shumë kohë” dhe theksoi se Inspektori i Përgjithshëm i Depatamentit të Drejtësisë Michael Horowitz “nuk ka fuqi për ndjekje penale” dhe se ai ishte emëruar në atë post nga Presidenti demokrat Barack Obama. Trump tha se Horowitz “ishte i vonuar” me përfundimin e një raporti lidhur me akuzat për sjellje të papërshtatshme nga ish drejtori i FBI-së James Comey, për mënyrën se si e trajtoi hetimin e vitit 2016 lidhur me praktikat e emaileve të rivales demokrate të zotit Trump në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton.
“Përse të mos përdoren juristët e Departamentit të Drejtësisë? E turpshme”- shkruante në Twitter Presidenti.
https://twitter.com/realDonaldTrump/status/968856971075051521
Sulmi i zotit Trump vjen pasi zoti Sessions tha të martën se zyra e Horowitz-it do të zhvillonte një hetim në se agjentët e FBI-së kishin bërë shkelje gjatë procesit për të marrë miratimin e gjykatës për survejimin e ish ndihmësit të zotit Trump, Carter Page, dhe lidhjet e tij me Rusinë.
Survejimi i zotit Page ishte pjesë e hetimit të gjatë kriminal mbi mundësinë e lidhjeve mes fushatës së zotit Trump me Rusinë gjatë fushatës së tij elektorale.
Survejimi i zotit Page pati shkaktuar për disa javë debate në Uashington në mesin e ligjvënësve të të dyja partive.
Trump ka shprehur disa herë zemërim ndaj zotit Sessions, por nuk e ka shkarkuar atë, që nga koha kur vitin e kaluar Sessions nuk u përfshi në hetimin e agjencisë për çështjen e Rusisë, ngaqë ai vetë kishte patur kontakte me ish-ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak, në mesin e fushtaës elektorale në vitit 2016.
Ish- senatori i Alabamës, Jeff Sessions, ishte figura më e rëndësishme politike që mbështeti kandidaturën e zotit Trump në fazat e para të garës presidenciale. Por Trump pati thënë se Sessions “ishte dorëzuar” dhe se nuk kishte për ta caktuar prokuror të përgjithshëm, në se do ta kishte ditur që ai do të shmangej nga hetimi për Rusinë.