Reshjet e dendura të dëborës nuk e kanë shmangur djegien e dy banesave në fshatin Qerret të Elbasanit. 10 anëtarë të dy familjeve Çekoja nga i njëjti fis, kanë mbetur në qiell të hapur, në një kohë kur dëbora në njësinë administrative Labinot Mal, arrin deri në 70 cm. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka patur të lënduar, pasi të dhjetë anëtarët e dy familjeve kanë dalë jashtë banesave sapo kanë pikasur përfshirjen e tyre nga zjarri.
Ata janë strehuar përkohësisht tek të afërmit e tyre, ndërsa apelojnë për ndihmën, pasi jetojnë në varfëri ekstreme dhe nuk kanë asnjë mundësi financiare të riparojnë banesat e djegura tërësisht. Nuk dihen ende shkaqet që shkaktuan këtë zjarr.