Pasi ka dëgjuar dëshminë e 38 vjeçares Olesia Duka, e cila akuzohet për mashtrim gjykata Durrësit ka dhënë ndaj saj masën arrest me burg.
Nën mbrojtjen e avokatëve Redi Rama dhe Anisa Giu, stomatologia ka deklaruar se personat që kanë bërë denoncim kundër saj i njeh, por sqaron se është kërcënuar nga dy vëllezër biznesmenë duke i thënë se i detyrohej një shumë prej rreth 900 mijë euro. Ajo tha se ishte detyruar të marrë borxhe te disa persona të tjerë, përfshirë edhe kredi bankare.
“Kontratat e huamarrjes i kam lidhur para noterit në lidhje me personat e mësipërm që kam marrëdhënie biznesi. Me shtetasin Idlir Hoxha me të cilin jam njohur më 2 nëntor 2016, kam pasur 6 muaj marrëdhënie biznesi, dhe në qershor vëllai i tij më tha se i detyrohesha 843 mijë euro borxh. I thashë që kjo nuk është e mundur. Kërcënimi që më bënë 2 vëllezërit më detyruan të merrja borxh te disa persona të tjerë, e madje edhe kredi bankare për t’ua shlyer”, mësohet të ketë thënë Olesia.
Ndërsa i ka kërkuar gjykatës që të hetohej në gjendje të lirë për të vërtetuar se nuk ishte e vërteta akuza e mashtrimit që rëndonte mbi të. Duka akuzohet se ka përvetësuar prej tyre përmes mashtrimit një shumë prej 2 milionë euro nga biznesmenë të ndryshëm nga Tirana dhe Durrësi./a.m.