Promovimi i produkteve të zonës dhe organizimi i festave lokale janë prioritet i Bashkisë së Tiranës për ta shndërruar Zall-Herrin në një destinacion tërheqës, jo vetëm për qytetarët, por edhe për sipërmarrësit që duan të investojnë në bujqësi e blegtori.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ishte sot në Zall-Herr ku prezantoi administratorin e ri, Arben Maloku, si dhe nënvizoi rëndësinë e promovimit të produkteve bujqësore vendase, si një mënyrë për t’i dhënë më shumë vëmendje kësaj zone të re të Tiranës.
“Në kushtet e zhvillimit ku ndodhemi sot, bujqësia dhe blegtoria janë shumë të kërkuara, ndaj përmes promovimit më të mirë të zonës, Zall-Herri nuk duhet të konsiderohet më si një zonë e largët, por pjesë e Tiranës dhe një lagje e re e saj”, deklaroi Seferi. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se afrimi i kësaj njësie me qendrën e Tiranës do të ndodhë edhe përmes zhvillimit të infrastrukturës, duke sjellë kështu rritjen e interesit të investitorëve.
“Produktet e zonës do të dalin në pah përmes festave lokale, të cilat do të kthehen në një traditë promovimi produktesh bujqësore. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se Zall-Herri është një nga furnizuesit më të rëndësishëm dhe të sigurt për produkte si ulliri, vaji, mjalti apo qumështi”, tha Seferi. Sipas tij, Bashkia e Tiranës është e përkushtuar për ta kthyer Zall-Herrin, por edhe zonat e tjera periferike të kryeqytetit, në vende ku promovohen produktet shqiptare.
Një tjetër fokus i Bashkisë së Tiranës për këtë njësi administrative do të jetë edhe ofrimi i të njëjtave shërbime si në çdo njësi tjetër të Tiranës. “Organizimi për mosndërprerjen e shërbimeve për qytetarët ka ecur më së miri. Standardet që do të vendosen janë unike për të gjithë Bashkinë e Tiranës; si banori i Zall-Herrit, ashtu edhe ai i njësive në qytet do të marrin të njëjtat shërbime”, deklaroi Seferi.
Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, i cili kërkoi nga administratori i njësisë që të ndërmarrë të njëjtat aksione si në njësitë e tjera të Tiranës. “Gjithçka që shihni se po ndodh në Tiranë, me aksionin e pastrimit të qytetit, me rikthimin e hapësirave publike për qytetarët, me mbrojtjen ndaj ndotjes së mjedisit, duhet që edhe ju të ecni me të njëjtin ritëm”, deklaroi Dalipi.
Duke prekur çështjet e investimit në infrastrukturë, kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës tha se në buxhetin e ri do të parashikohet ndërtimi i disa rrugëve, ndërsa komuniteti do të përcaktojë prioritetet. “Një nga problematikat e zonës është çështja e disa rrugëve të rëndësishme që lidhin fshatrat. Së shpejti, nisin përgatitjet për buxhetin e ri të Bashkisë së Tiranës, ndaj duhet të përgatiteni për projekte konkrete që t’i buxhetojmë dhe të nisim nga puna”, theksoi Dalipi. Sipas tij, propozimet konkrete duke u konsultuar me komunitetin do të jetë në dorën e njësisë administrative.
“Bashkia e Tiranës do të ashpërsojë masat për individët që abuzojnë me hapësirat publike, që ndotin ambientin, apo pasuritë që keni rreth e rrotull”, tha Dalipi. Në fund të këtij prezantimi, Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ftoi banorët e Zall-Herrit që t’i bashkohen aksionit për pastrimin e Tiranës më 4 shtator.