Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ekipi i tij, nuk kanë mundur të zbresin sot pasdite në Prishtinë. Haradinaj, bashkë me udhëtarët që duhet te zbrisnin në Prishtinë, tani janë duke qëndruar në Sofje.
Zyrtarë të Qeverisë kanë treguar për Express se po bëhet përpjekje për t’u kthyer në Kosovë. Me kthimin e pasagjereve po ashtu po merren edhe disa ambasadat që janë në Bullgari.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në këto momente është duke qëndruar në aeroportin e Sofjes, në Bullgarisë. Avioni ku ndodhej Haradinaj nuk ka mundur të zbrese në Prishtinë, në kohën që ishte parashikuar, për shkak të motit të vështirë, dhe për këtë është kthyer mbrapa.
Për qëndrimin në Sofje të tij dhe udhëtarëve që ishin në avionin e WizzAir, ka folur për Express, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi. Ajo ka treguar se po behën përpjekje që Haradinaj dhe udhëtarët të nisen për Kosovë.
“Janë mobilizuar të gjithë. Tash me neve janë duke u marrë ambasada e Kosovës në Bullgari por edhe ajo bullgare. Janë duke u bërë të gjitha përpjekjet që të bëhet kthimi për Kosovë. Nuk është vendosur ende se si të bëhet kjo. Edhe në Bullgari koha nuk është e mirë”, ka treguar ajo.
Gashi ka bërë me dije për Express se Haradinaj nuk dëshiron të kthehet vetëm në Kosovë, por ai insiston që kthimi të bëhet së bashku me udhëtarët që ishin në këtë avion.
“Ne jemi duke kërkuar zgjidhje për të gjithë. Do të thotë nëse nisemi për Kosovë do të nisemi të gjithë që kemi qenë në avion. Tash nuk dihet ende a do të bëhet kjo me transport rrugorë apo ajrorë”, ka thënë Gashi.