Ngrohja e pazakontë e Polit të Veriut ka zhvendosur valën e të ftohtit arktik në Europë, gjë që tregon se një mot i tillë mund të kthehet në normal për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.
Është ky konkluzioni në të cilin kanë dalë shkencëtarët dhe meteorologët për të shpjeguar fenomenin e ashtuquajtur “Bisha nga Lindja” që ka sjellë temperatura ekstreme të ftohta në kontinentin tonë.
Shkaku për këtë është bërë qarkullimi i ajrit të ngrohtë, që ka sjellë ajër të butë e të lagësht. Meteorologët shpjegojnë se ky është një tipar i zakonshëm i sitemit të motit në Arktik, por që këtë vit ka zgjatur më shumë.
Si pasojë e këtij çrregullimi, Groenlanda në veri është përballur me temperatura rekord mbi normalen, ndërkohë që më në jug, Europa është goditur nga ngricat dhe moti ekstrem të cilat kanë shkaktuar jo pak kaos në përditshmërinë e njerëzve.
Zhvendosjet e ajrit të ngrohtë mbi Polin e Veriut po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Shkencëtarët besojnë se reduktimi i akujve në Oqeanin Arktik po lejon ujin e ngrohtë të çlirojë nxehtësi në atmosferë, duke bërë që ngjarje të tilla të përsëriten gjithnjë e më shumë.
a.ç