Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, i ftuar në “Zona Gol”, ka treguar se si vendosi të bëhej pjesë e futbollit, pasioni për të cilin kishte filluar nga Juventusi, për të vazhduar me klubin ku tashmë është drejtues.
Si iu bashkuat Partizanit
Drejtori Rama: E kam ndjekur Partizanin në këto vite edhe në transfertë, kam qenë pranë tij edhe falë miqësisë me Presidentin Demi kur erdhi momenti, bëra bisedë me presidentin dhe më ofroi këtë post. Ishte kënaqësi që punoj me Partizanin, jam në botën time, në atë të sportit që më tërheq dhe më pëlqen.
Me Gaz Demin që është president i jashtëzakonshëm, nuk ka favorizime. Dy gjërat që duhet të bëjnë sportistët është punë dhe aktivizimi të vijë nga frytet e punës
Komenti juaj për gabimet në merkato
Drejtori Rama: E vërtetë është që Partizani filloi sezonin me disa prurje nga Italia, me idenë për të rritur cilësinë. Nuk u arrit se ata nuk u ambientuan dhe përshtatën dot me kampionatin tonë, që them që është një kampionat i fortë, taktikisht i vështirë për t’u përshtatur kollaj. Kthesa me merkaton e dimrit ishte të zgjidhnim tani atë që dëshirojmë të korrim në të ardhmen, ka punë për të bërë për të arritur ku duam.
Ecurinë e projektit të kompleksit të Klubit
Drejtori Rama: Kompleksi është 37 mijë metra katror me tre fusha, me bar sintetik dhe natyral, stadiumi me 4500 spekatatorë, hotel me akomodim, palestër, pishinë e të gjitha kushtet. Aty fillon kthesa e madhe e Partizanit, aty të lejon të planifikosh dhe të bësh punë në mënyrë efektive. Projekti ka filluar, është ndërtuar pjesa e karabinasë së stadiumit dhe hotelit, është sforco e madhe ekonomike nga klubi dhe presidenti. Po kërkojmë të ndërtojmë investimin, në kushtet që jemi nuk është e lehtë, por do të gjejmë fondet e mjaftueshme edhe në bashkëpunim me UEFA-n për të ndërtuar klub model në Shqipëri.
Për ndryshimin e Partizanit
Drejtori Rama: Në këtë fazë të projektit kërkoj në radhë të parë lojën, se jam i sigurt se pastaj do të vijnë rezultatet. Pas Kukësit u thashë lojtarëve ‘ngrini kokën se keni luajtur sot si duhet të luajmë gjithmonë’. Edhe sot ekipi po e kërkonte rezultatin nëpërmjet lojës, po gjen identitetin. Fati nuk ishte sot me ne, fatkeqësia ishte që një ndër më të mirët shkaktoi atë autogol.
Sulmi i Partizanit
Drejtori Rama: Lukas dhe Abdurrrahimi janë lojtarë të mire, akoma nuk kanë gjetur veten dhe ritmin e lojës me ambientimin në kampionatin shqiptar. Shpresoj t’i shihni në vijim dhe do të bindemi për vlerat e tyre. Kur menduam për sulmin, menduam në variacion, se kemi disa lojtarë që për arsye të moshës e vlerave nuk duam t’i ulim në stol, si Asani e Bardhi. Ideja ishte të merrnim lojtarë të ndryshëm, të merrnim këta lojtarë që nuk janë qendërsulmues të mirëfilltë, të bënim lojë pa pikë referimi në sulm, si Spanja disa vite më parë apo Napoli aktualisht. Mendoj se në fazën e avancuar, lojtarët tanë duhet të na i kenë zili të gjithë në Superiore.
Situata e trainerit Starova..
Drejtori Rama: Duam të ndërtojmë një klub model, të gjithë e mendojmë që Starova ka gabuar në të dy rastet, edhe ai e di. Qëndrimi i klubit ishte të pranonte kokulur dhe me dinjitet që traineri kishte gabuar. Por në asnjë moment nuk është vënë në dyshim Starova, ai është traineri i Partizanit, ka qenë gjithmonë në stërvitje dhe ka qenë prezent. Dalipi ka kohë që është pjesë e Partizanit dhe në asnjë moment nuk ka pasur ide për të bërë rokadë. Kemi treguar në vazhdimësi që në momentin kur e kthyem, edhe në momentin e konfirmimit, që besojmë te cilësitë dhe aftësitë e tij taktike, njohja e kampionatit për të dhënë rezultate që shpresojmë të arrijmë deri në fund të sezonit.
Për strukturën e klubit
Drejtori Rama: Ne kemi një drejtor sportiv si Preiti, po bëjmë sistem skautimi, kemi punuar me kontratë me skaute edhe jashtë, do ta ndërtojmë edhe brenda vendit, për të parë të gjitha kategoritë. Mua do më takojë barra e marrjes së vendimit në fund, duke përputhur të gjithë elementët, si në aspektin sportiv, ashtu edhe financiar, dhe në bashkëpunim me stafin teknik dhe me presidentin Demi. Mendoj se është e rëndësishme të kuptohet ndarja e detyrave, nuk më takon mua të vë gishtin për cilësitë teknike dhe e them me modesti që nuk jam i kualifikuar për një gjë të tillë.
Partizani e ka detyrim të luftojë për trofe, gjërat e bëra me nxitim nuk të krijojnë stabilitet. Një Partizan i ndërtuar për të fituar përnjëherë, mund të fitojë një kampionat, por jo në vazhdimësi, ose do të fitojë me një kosto ekonomike shumë të lartë, që shkon kundër asaj që mendoj që duhet të ketë një klub sporti.
Për tifozët
Drejtori Rama: Dua ti falënderoj ata që ishin sot prezent në Korçë. Fakti që udhëtuan tregon se po identifikohen me ekipin. Përgjigjen se kur Partizani do të dalë kampion, unë nuk e kam. Shpresoj të jetë vitin tjetër, këtë vit nuk dua të spekuloj edhe nëse marrim pikët e mundshme dhe të them se dalim. Unë do të doja që Partizani të dalë kampion duke fituar në fushë ndaj të gjithë ekipeve, duke qenë skuadra më e mirë.
Për kalendarin e ndeshjeve
Drejtori Rama: Tre ndeshjet e fazës së tretë ishin nga më të fortat. Shpresoj që e para, objektivi im personal, është rritja e cilësisë së lojës dhe jam i sigurt se me të vijnë rezultatet, jemi brenda objektivit për Europa League.
Për largimet në janar
Drejtori Rama: Nuk i kthehem vendimeve se ishin veprime të menduara mirë, të ndërmarra në konsensus, në bashkëpunim me lojtarët. Ka arsye që shkon përtej sportives dhe përformancës së tyre, i kam uruar fat. Kishte të bënte me faktin që kishin kohë të gjatë me Partizanin, nuk kishin realizuar ojektivin personal, kishin filluar të ndjeheshin komod dhe i mungonte stimuli i detyrueshëm nga një person i cili vesh fanellën e Partizanit.
Për dënimin e mundshëm të Skënderbeut
Drejtori Rama: Unë uroj që ato te raporti të mos jenë të vërteta dhe që dënimi i një klubi kampion do të ishte një dëmtim i rëndë i imazhit të futbollit tonë. Nuk di se sa janë të vërteta, drejtësia sportive funksionon ndryshe nga ajo civile, ajo funksionon në bazë të dyshimit të argumentuar. Raporti është shumë i gjerë, ka vite të dhënash, shpresoj që aty të mos jenë të vërteta. E përsëris që për mua personalisht, si Drejtor i Partizanit, dëshira është që Skënderbeu të vazhdojë të jetë pjesë e kampionatit dhe ne ta mundim në ndeshjen e radhës dhe në vazhdim që të tregojmë që jemi ne ekipi më i fortë.
Lojtarët që e kanë tërhequr
Drejtori Rama: Janë emra si Abazaj, Bregu, Gavazaj, edhe pse nuk luajti shumë mirë sot, por është lojtar interesant. Skënderbeu ka punuar mirë në këtë drejtim, ka pasur mundësitë dhe për të këtë gjë duhet t’i njihet që ka një sistem dhe ka ngritur një rrjet të vetin në Maqedoni dhe në Kosovë.
Për mënyrën se si e shikoni futbollin shqiptar
Drejtori Rama: Është e vërtetë se të gjitha skuadrat luajnë një futboll tipik shqiptar, shumë të kujdesshëm, të fortë fizikisht, agresiv. Është futboll ku ekipet kurojnë në detaje mbrojtjen. Unë nuk jam admirues i kësaj loje, do të doja më shumë sulm në fushë.
Plani i marketingut në Klub
Drejtori Rama: Duam që të ndërtojmë një muze dhe një dyqan, ku shiten jo vetëm fanella, por edhe aksesorë të ndryshëm. Ne shohim shpesh kur shkojmë në ndeshje jashtë, në të gjitha stadiumet shoqërohen me stenda të veçanta ku shiten suvenirë dhe shalle të ndeshjeve të veçanta. Në këtë pikë, të gjithë klubet shqiptare janë me vonesë