Bashkimi Europian po bën presion ndaj Beogradit e Prishtinës për gjetje të shpejtë të zgjidhjes së marrëdhënieve të tyre, shkruan sot gazeta beogradase “Blic”, transmeton Koha.net.
Sipas kësaj gazete, e cila s’e përmend faktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në tavolinë janë pesë zgjidhje të mundshme, që nga, modeli qipriot, ai i dy Gjermanive, unionit real dhe i ndarjes reale.
Nën rrethanat e presionit dhe synimit drejt Bashkimit Europian, Serbia po i afrohet momentit të zgjidhjes së problemit të Kosovës, shkruan kjo gazetë.
Modeli i dy Gjermanive, Lindore e Perëndimore, që u krijuan në kohën e ndarjes së botës në blloqe, të cilat s’e njohën njëra – tjetrën, ishin anëtare të OKB–ës dhe nuk e bllokonin njëra – tjetrën.
Ky model përmendet që nga viti 2007 e i fundit që u thirr në të ka qenë ministri gjerman i Punëve të Jashtme Sigmar Gabriel.
Ky model në Perëndim pëlqehet por s’ishte pritur mirë në Beograd sepse ai thotë se Serbia duhet ta pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës.
Unioni real, është model që i pëlqen Vuçiqit. Këtë propozim e ka paraqitur profesori serb Vladan Kutleshiq.
Thelbi i propozimit është Federatë e shteteve të pavarura të Serbisë e të Kosovës që do të ishin të lidhura përmes politikave të njëjta doganore, tregtare e monetare.
Në qarkullim është edhe zgjidhja me kufizim – ndarje sipas çelësit nacional. Këtë ide më së shumti e paraqet ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq, shkruan blic, transmeton Koha.net. Sipas saj, Kosova do të ndahej në atë që është serbe dhe në atë që është shqiptare.
Përmendet edhe modeli qipriot, konflikt i ngrirë ndërmjet dy etnive në konflikt që do ta njihnin njëra – tjetrën aq sa është e duhur për funksionim normal të territorit. Këtë e kishte propozuar Oliver Ivanoviq, i vrarë më 16 janar në Mitrovicë.
Modelin e Hong Kongut në vitin 2007 e kishte propozuar pala serbe që udhëhiqej nga Vojislav Koshtunica. Ky propozim parashihte autonominë më të madhe të mundshme të Kosovës në kuadër të Serbisë. Kjo zgjidhje ishte ofruar si e përkohshme me afat dhjetëvjeçar. Kosova që s’ e ka pranuar kurrë këtë propozim, ka shpallur pavarësinë e vet dhe atë tashmë e njohin më shumë se 110 shtete të botës. (b.an)