Nxënësit që i mbijetuan sulmit në Parkland, Florida, shprehën zemërim ndaj presidentit Donald Trump, që e lidhi dështimin e FBI në ndjekjen e një raporti për autorin e sulmit në shkollë me angazhimin e ekzagjeruar të saj në hetimin mbi Rusinë.
“Shumë i trishtuar që FBI nuk arriti të kuptonte të gjitha mesazhet e dërguara nga autori i sulmit në Florida, kjo nuk është e pranueshme. Ata po shpenzojnë shumë kohë në përpjekjet për të provuar përfshirjen e Rusisë në fushatën Trump. Nuk ka asnjë përfshirje, kthehuni tek thelbi dhe na bëni krenar”, shkruante Trump në “Twitter”.
Por, ky postim shkaktoi jo pak zemërim si në rrugë ashtu edhe online. “17 nga shokët e mi të shkollës nuk janë më. 17 të ardhme, 17 fëmijë dhe 17 miq na u morën. Por, ju keni të drejtë…duhet që gjithçka të ketë të bëjë me ju…” shkruante një nxënës. “Shokët e mi u vranë brutalisht dhe ju guxoni të flisni për rusinë…nuk mund ta besoj këtë”, shkruante një tjetër nxënës.
Shumë prej këtyre përgjigjeve u shpërndanë shpejt në rrjet duke u ripostuar me mijëra herë, madje shumë më tepër se sa edhe vetë mesazhi i Trump.
Shumë prej nxënësve kanë bërë të ditur se do të bojkotojnë madje edhe një bisedë me presidentin Trump, të planifikuar të mërkurën, me nxënësit dhe mësuesit.
Të mbijetuarit e sulmit planifikojnë ndërkohë të protestojnë në Uashington, në përpjekje për të detyruar ligje më të rrepta për armët. Studentët thanë se shpresojnë që sulmi i 14 shkurtit në shkollën Parlkland në Florida, ku kanë mbetur të vrarë 17 veta, të bëhet “pikë kthese” në debatin për kontrollin e armëve.
Sipas statistikave, mbi 30,000 njerëz vdesin çdo vit në incidente të lidhura me armët në SHBA.
a.ç