Në kohën që bisedimet për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar të emrit të Maqedonisë janë intensifikuar dhe sipas pritshmërive çështja mund të zgjidhet deri në qershor, shqiptarët e Maqedonisë kundërshtojnë një referencë e cila eventualisht do të përdorej vetëm në trajtën sllave edhe për përdorim ndërkombëtar. Nga ana tjetër, autoritetet në Shkup i hedhin poshtë sugjerimet që vijnë nga Athina për ndryshime kushtetuese lidhur me çështjen.
Problemi i emrit të Maqedonisë me Greqinë fqinje duket se do të shkojë drejt zjidhjes me shtytjen edhe të komunitetit ndërkombëtar, ndërsa opinioni publik nuk ka njoftime të mjaftueshme se për cilat referenca të propozuara konrektisht bëhet fjalë, e që pala maqedonase mund të jetë më afër pranimit.
Ajo që më së shumti është përfolur e që vjen nga Athina është termi Republika Gorna Makedonija në trajtën sllave në përdorim ndërkombëtar, për çka ministri grek i punëve të jashtme Nikos Koxias është shprehur në një televizion grek se është e parapëlqyer, por që nga ana tjetër nga nxitur reagime dhe mospëlqime tek një rreth veprimtarësh e opinionistësh shqiptarë në Maqedoni.
Referenca Gorna Makedonija që në shqip i vjen Maqedoni e Epërme, është edhe një nga pesë propozimet e ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz.
Shqiptarët e Maqedonisë e konsiderojnë propozimin si sllavizim të mundshëm të emrit të vendit dhe të gjithë banorëve të republikës aktuale të Maqedonisë.
Autoritetet shtetërore ndërkaq, nuk japin hollësi mbi procesin e bisedimeve, ndërsa kryeministri Zoran Zaev ka thënë para pak ditësh se një term gjeografik për emërtimin e ri të Maqedonisë do të ishte i pranueshëm për qeverinë e tij.
Nga ana tjetër, analistët i bashkohen optimizmit se çështja do të gjejë zgjidhje brenda muajve që vijnë.
Komisioneri për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka thënë dje në Sofje të Bullgarisë para një takimi me ministrat e jashtëm të unionit dhe të Ballkanit perëndimor se ishte shumë i sigurtë që problemi i emrit të Maqedonisë të gjejë zgjdhje në deri në qershor.
Greqia ka bllokuar rrugën e integrimit të Maqedonisë që prej shpalljes së pavarësisë së kësaj të fundit para njëzet e gjashtë vjetësh. Qeveria e zotit Zaev është e para e cila zbutë marrëdhëniet me vendin fqinj në drejtim të zgjidhjes së problemit, por autoritetet greke hasin në pakënaqësi të theksuara tek shumica e popullatës së atjeshme për të mos lëshuar pe lidhur me emrin Maqedoni që po ashtu i përket një rajoni grek në veri të këtij shteti. /VOA/