Shqipëria është vendi që luan më shumë baste sportive në një prej kompanive të njohura në botë, “SBObet”, që operon në Azi. Kjo tregohet në raportin prej 93 faqesh, që Report Tv e ka siguruar të plotë, të Organit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinimit të organizatës europiane të futbollit UEFA. Sipas raportit, rezulton se ka një fluks të pazakontë të basteve me përmasa botërore në kompaninë “SBObet”. Vendi ynë është i vetmi europian mes 10 të parëve që klikojnë faqen e internetit të kësaj kompanie.
Sikur të mos mjaftonte kjo, epiqendra e klikimeve është pikërisht qyteti i Korçës, që përfaqësohet nga ekipi i Skënderbeut dhe që tashmë është kërkuar një dënim prej 10 vitesh mospjesëmarrje nga Kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë. Në 33 nga 53 ndeshjet e dyshuara për trukim nga Skënderbeu, UEFA ka identifikuar se SBObet ka qenë kompania e parë e basteve që lëvizte koeficientat rreth ndeshjeve të manipuluara. Kjo tregon se ata që kanë akses ndaj njohurisë dhe manipulimit, janë në gjendje të vendosin baste nëpërmjet SBObet.
Një kërkim i Google Trends mbi SBObet tregon se si kjo kompani ka një prani shumë të madhe në Shqipëri, edhe pse është një kompani bastesh aziatike. Në fakt, Shqipëria është i vetmi shtet europian në listën e 10 vendeve që luajnë më shumë në SBObet, pasi vendet e tjera janë të gjithë aziatike. Është domethënëse se një kompani bastesh aziatike kërkohet me kaq frekuencë online në Shqipëri dhe në veçanti në qytetin e Skënderbeut. I vetmi shpjegim për këtë është se personat në Shqipëri mund të kalonin lehtësisht bastet e tyre nëpërmjet SBObet, i cili lejon për shuma më të mëdha të vendosen dhe fitohen.