Burime nga Presidenca kanë folur për mediat lidhur me marrëveshjen me Greqinë për detin. Burimet konfirmojnë se deri më tani nuk është kërkuar asnjë ‘Plotfuqishmëri’ për Marrëveshjen e Detit me Greqinë.
Gjithashtu, të njëjtat burime deklarojnë se nuk është pyetur ende Presidenca lidhur me marrëveshjen e detit me shtetin fqinj.
Po ashtu më herët ka reaguar edhe ish-presidenti Nishani që thekson se derë më 24 korrik, ditë kur ai i lëshoi zyrën Presidentit Meta, nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Qeveria për “Plotfuqishmërinë”.
“Deklaroj se deri më 24 korrik 2017 në Institucionin e Presidentit të Republikës nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga Qeveria për “Plotfuqishmërinë” ndonëse tashmë shihet qartë se negociatat dhe bisedimet janë zhvilluar edhe përpara kësaj date. Nëse pas kësaj date ka një kërkesë dhe nëse kjo “Plotfuqishmëri” është dhënë apo jo, kjo mbetet për tu mësuar.”, theksohet në reagimin e Nishanit.
Ndërkohë, kjo deklaratë e Presidencës vjen në kulmin e debateve për çështjen e paktit detar, ku opozita ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, me pretendimin se po i shet detin Greqisë.
Nga ana tjetër, pala greke pranoi një ditë më parë se marrëveshja e bërë me Berishën, gjatë qeverisjes së këtij të fundit, ishte e gabuar dhe në dëm të Shqipërisë.