Dy persona të shpallur në kërkim për tentativë vrasje e armëmbajtje pa leje janë arrestuar nga Policia e Tiranës mbrëmjen e së mërkurës.
Policia tha se të arrestuarit janë Sergeto Turullaj, 28 vjeç nga Tirana dhe Edmond Mamushi, 41 vjeç nga Përmeti. I pari akuzohet për një vrasje të mbetur në tentativë, të ndodhur vitin e kaluar në kryeqytet, ndërsa i dyti për plagosjen e një të riu në Përmet, për motive hakmarrjeje, shkruan “Panorama”.
Policia tha zyrtarisht se, shërbimet e Komisariatit nr.2 kanë kapur shtetasin e shpallur në kërkim, Sergeto Turullaj, 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 5 maj 2017, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Po për të njëjtat akuza është arrestuar edhe 41-vjeçari Edmond Mamushi, ndaj të cilit Gjykata e Përmetit kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, me një vendim të vitit 2016.
PLAGOSJA NË TIRANË
Më 15 prill të vitit 2017, Policia e Tiranës shpalli në kërkim 2 persona, të cilët dyshoheshin se kishin tentuar të vrisnin punonjësin e një kompanie të makinave me qira. Njëri prej tyre ishte Sergeto Turullaj, i cili tashmë u arrestua nga Policia.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në zyrat e shoqërisë që jep automjete me qira, në rrugën e Durrësit. Në vendngjarje Policia gjeti një pistoletë “Zastava”, me silenciator, me 5 fishekë, e cila u kishte rënë autorëve gjatë përleshjes fizike që kanë pasur me punonjësin e kompanisë.
Policia ishte njoftuar për ngjarjen nga pronari i kësaj shoqërie, i cili ishte përfshirë edhe vetë në konflikt. Ai lajmëroi Policinë pasi dy të dyshuarit u larguan, duke qenë se në momentin që ngjarja ishte në zhvillim, nuk ka mundur të kërkojë ndihmë. Arsyeja e konfliktit dyshohet se ka qenë prishja e kushteve të kontratës për qiradhënien e një automjeti.
Më pas, debati ka agravuar më tej dhe njëri prej të dyshuarve ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e kësaj kompanie, shtetasin me iniciale L.Sh., 26 vjeç. Autori i ka drejtuar atij pistoletën me silenciator, duke e kërcënuar se do ta vriste. Por punonjësi është përleshur fizikisht me të dhe ka arritur t’i kapë armën e zjarrit nga dora.
Në këtë moment, pistoleta ka rënë në tokë dhe dy të dyshuarit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Tashmë njëri nga autorët, 28- vjeçari Turullaj është arrestuar, por mbetet në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi me iniciale D.Y.
PLAGOSJA NË PËRMET
Personi tjetër që u arrestua nga Policia e Tiranës, 41- vjeçari Edmond Mamushi, sipas Policisë, ka tentuar të vrasë shtetasin Julian Hoxha, duke e plagosur me armë zjarri më 16 tetor të vitit 2016.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi Hoxha bashkë me xhaxhain e tij, shtetasin Artan Hoxha, e kishin plagosur me thikë autorin në maj të vitit 2014. Në atë kohë Policia pati arrestuar njërin nga autorët, Artan Hoxhën, ndërsa shpalli në kërkim nipin e tij, të cilin më pas e plagosi me armë zjarri Mamushi, në shenjë hakmarrjeje./Panorama
a.ç