Në emër të sigurisë amerikane dhe botërore administrata Trump rikthen përdorimin e armatimeve bërthamore, shkruaje mediat
Politika e prezantuar nga Pentagoni parashikon futjen e bombave bërthamore me intensitet të ulët dhe riarmatimin e nëndetëseve me arsenal të raketave balistike bërthamore.
Kështu hidhet poshtë urdhri i ish-presidentit Bush, i cili i dha fund përdorimit të këtyre të fundit, por edhe plani i Barack Obama për çarmatimin e plotë bërthamor.
Ndërkohë që Sekretari i Mbrojtjes, Mattis ka theksuar se strategjia e re ushtarake është kundërpërgjigje ndaj natyrës, doktrinës, strategjisë dhe potencialit bërthamor të Rusisë.
I menjëhershëm ka qenë reagim i Moskës, e cila e dënoi një nismë të tillë, duke e akuzuar Amerikën për veprime luftënxitëse dhe paralajmëroi se do të merren masat e nevojshme në kuadër të sigurisë ruse.
Rusisë iu bashkua dhe Kina duke dënuar planet e porsa shpallura amerikane.
Pekini i kërkoi Uashingtonit që të heqë dorë nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë, raporton dita.
“Vendi që zotëron arsenalin më të madh nuklear të botës duhet të ndërmarrë iniciativën e ndjekjes së trendit në fuqi e jo të shkojë kundër tij”, ishte deklarata e Ministrisë së Brendshme kineze.
Kina argumenton nga ana tjetër se politikat e veta janë defensive dhe se Uashingtoni e ka hiperbolizuar natyrën e kërcënimit të saj nuklear.
Ushtria amerikane beson se armët e saj atomike janë shumë të mëdha për t’u përdorur, ndaj kërkon që të zhvillojë bomba të një force shpërthyese më të vogël.
Amerikën e shqetëson fakti që arsenali i saj po vjetërohet, ndaj nuk do të jetë më frikësues kundrejt atyre që i konsideron kërcënime potenciale: Kinë, Rusi, Kore e Veriut dhe Iran.
Nga ana tjetër, dokumenti i Pentagonit argumentonte se armët e vogla me një forcë nën 20 kiloton janë më pak të fuqishme, por mbeten sërish shkatërruese.