Nga Juela Meçani
Janë disa njerëz të cilët shëtisin gjatë në jetën tonë, por pa lënë asnjë gjurmë. Për të qenë janë, por nëse nuk i sheh ose takon, nuk ndjen asnjë mungesë. Janë disa të tjerë, nëse ke lindur me fat, të cilët për një periudhë të shkurtër të jetës, në një moment të vështirë ose thjesht jo të bukur të jetës, lënë një gjurmë të thellë, i japin kuptim optimizmit për të jetuar, për të ecur përpara, t’i bëjnë më të lehta ditët që numërohen, ke guxim të bësh plane.
Ne gazetarët jemi mësuar në rutinë të shkruajmë për emra të njohur, personazhe publikë, shumë politikë e pseudopolitikë, shumë art e pseudoart, ca sport me pikatore dhe kaq. Jo keq sepse i drejtohemi një publiku të gjerë që duhet të ketë interes. Madje po shtohen edhe raste që shkruajmë për njerëz të thjeshtë, që kanë halle, që nuk gjejnë veten, që po u bëhet jeta gjithmonë e më e vështirë. Por unë u ula e sa vura gishtat në tastierë, kisha vetëm një meditim, desha të shkruaj për Lindën. E hasa në jetën time në një nga ato eksperiencat e punës, ku fati ose ndërrimet politike, të shpien pa dëshirë. Sforcohen rrethanat dhe përfundon në një ambient që nuk e njeh, e të del përpara një Lindë. Elegante, me flokët ngjyrë gruri, buzë të bukura natyrale, sy me ujëra, pa asnjë shenjë grimi në fytyrë, veshur me një fisnikëri habitëse.
Buzëqeshjen e saj nuk do ta harroj kurrë, as zërin e plotë, as të folurën e një shqipeje të pastër. Lindën e pata kolege për një vit, një vit të vështirë të jetës, e po të mos kishte qenë ajo dhe shoqet e saja, nuk do të kisha rezistuar. Ja pra që një Lindë, me qytetarinë e saj, me një pozitivitet që të tundte nga themelet, me dashurinë e saj për familjen, të bukrën dhe jetën, bëhet sebep i rezistencës tënde çdo mëngjes. Nuk është ky nga ato rastet kur të gjithë flasin mirë kur dikush niset drejt qiellit, por është nga të paktat raste kur të vijnë në buzë vetëm fjalë vlerësimi. Kur mësova se nuk ishte më mes nesh, se nuk do e kisha më një telefon larg nëse do të doja pak injeksion shprese, e para gjë që mendova ishte se është një padrejtësi e madhe ndaj shoqërisë shqiptare.
Ishte vetëm 29 vjeç Linda, por i kishte të rralla shoqet. Kishte njohur, zgjedhur, mbrojtur dashurinë e parë e të vetme të jetës, për të cilën përpiqej çdo minutë, me respekt e me një amvisëri prej zonje të madhe. Kishte sjellë në jetë një djalë të bukur, për të cilin linte pas veten në çdo moment, gatuante Linda, diskutonim për receta speciale, sepse kështu ishte Linda, dashuronte çdo shije. Kujdesej për shtëpinë, për folenë e dashurisë së saj deri në detaj. Adhuronte të priste miqtë në shtëpi, me elegancë dhe hijeshi, si një amvisë e sprovuar.
Nuk harronte as edhe një sekondë të rrinte pranë familjes së saj, babai, nëna, motra, intelektualë, fisnikë, njerëz të kultivuar por që qëndronin gjithmonë të lidhur, në të mirë e në të keq. Nuk e dëgjova kurrë të ankohej, të shprehte një trishtim, të shante dikë, të kishte xhelozi. Lindën e shikoja të bëhej copash për të tjerët e në darkë të gjente forcën e të gëzonte edhe veten dhe familjen e saj. Lindën kurrë nuk e mendoja të mundur nga dikush apo nga diçka. Në botën e saj për të cilën kishte luftuar aq shumë ta ndërtonte, nuk do të kisha menduar kurrë se do të vinte një përbindësh i pabesë, një sëmundje që do i merrte jetën.
Në këto ditë, pasi bie heshtja, dhimbja e të gjithëve që e njohën nuk merr dot emër apo fjalë. Por unë sot e kam një urim, për të gjithë. Uroj të jeni me fat e të ndesheni me një Linda në jetën tuaj. Përpara gjurmës që ajo la, në thjeshtësinë e saj, gjunjëzohen personazhet publikë, Vip-a të sajuar, pështirosja e këtij vendi në vrap tranzicioni të përjetshëm, sepse Linda ishte ajka e këtij vendi, që do të ketë shpresë ringritjeje vetëm po të ketë qoftë edhe pak vajza të reja si ajo. Sepse Linda ishte ajo, aristokratja në shpirt e në zakone!/AFP