Gjithmonë jam konsideruar një pikë kyçe, një referim për skuadrën time. Deri kur të vazhdojë të jetë kështu, deri kur të tjerët do e mendojnë në këtë mënyrë, do gjejmë një zgjidhje për të ecur përpara, përndryshe është e drejtë të ndalem”. Kështu Xhixhi Bufon, që nesër feston 40-vjetorin, ka folur për “Sky Sport”.
“Deri në qershor, edhe për arsye përgjegjësie, jam ende një futbollist dhe është e drejtë të mendoj vetëm për këtë”, shprehet kapiteni i Juventusit. “Më pas do takohem me presidentin dhe do vendosim në qetësi. Sforcimet nuk më kanë pëlqyer kurrë”.
“TOPI” I KALON JUVES – Vijojnë komente të tjera të Xhixhit pas intervistës së lëshuar për “La Repubblica” në vigjilje të datëlindjes së 40- të. Një intervistë ku ka lënë të hapur hipotezën për të vazhduar karrierën edhe për vitin e ardhshëm: “Së shpejti do bisedoj me presidentin Anjeli: do më pëlqente të luaja akoma, por zgjidhjen më të mirë do e gjejë klubi”.
DILEMA – Lotët pas eliminimit nga Suedia nuk janë harruar, por dëshira e Bufonit për të vazhduar t’i japë diçka futbollit, Juves në veçanti, nuk është shuar. E atëherë, përtej deklaratës “nuk ndalem vetëm nëse fitoj Champions-in, kështu luaj Botërorin për klube”, tashmë është transformuar në një ide më konkrete. Bufon nuk e mbyll, ndoshta, edhe për të synuar rekordin e paraqitjeve të Maldinit.
Tashmë fjala i kalon Juventusit sepse siç ka shpjeguar portieri, “do vendosin së bashku me drejtuesit se ç’është më e mira për klubin”. Më mirë një rol përfaqësuesi, më mirë dedikimi i ringritjes së futbollit italian me një funksion në Federatë apo veshja e dorezave edhe për vitin e ardhshëm, ndoshta duke vazhduar alternimin me Sheznin?
PËR SHEZNIN, VETËM ELOZHE – “Dua të mirën e klubit”, nënvizon Xhixhi. “Dua të kuptoj se cilin petk mund të vesh nëse Juventusi mendon se unë mund të jem ende i rëndësishëm. Do më pëlqente, por zgjidhjen e gjejmë me shoqërinë, së bashku. Nuk do dëshiroja të shndërrohesha në një problem për klubin dhe shokët e skuadrës”.
Mes alternativave, pra, edhe mundësia e alternimit me portierin polak, që po zhvillon një sezon aq të mirë: “U kam dhënë gjithmonë hapësira të tjerëve. Shezni është një portier i madh dhe nëse do fitonim, një fetë e meritës do ishte e tija”.
E ARDHMJA – Në të ardhmen, megjithatë, ekziston ideja që Bufoni të qëndrojë gjithmonë brenda botës së futbollit: “I kam kërkuar këshilla Lipit, më ka thënë të marr një vit pushim. Nuk dua të bëhem trajner klubesh, e shoh veten më mirë në drejtimin e një përfaqësueseje. Megjithatë, nuk po kandidohem për stolin e Italisë”./Panorama/a.m.