Gigi Buffon do të mbushë të dielën plot 40 vjeç dhe me numra të tillë është e pabesueshme që ai vijon të luajë në nivela kaq të larta. Për të folur për të këtë herë nuk janë tifozët, por një ish-shok Kombëtarje si Francesco Totti, i cili lëvdatat gjithmonë i ka patur të kursyera.
“Gjëja e parë që mendon është sesa shumë jemi plakur dhe më vjen keq. Në fund, kur shikon karrierën e miqve të tu është njësoj si të rishikosh jetën tënde”, ka thënë ish-numri 10 i verdhekuqve.
“Karriera e tij është fantastike dhe tani i uroj që të shijojë 40 vitet e tij. Çfarë dhurate do të doja t’i bëja? Makinën e kohës, ndoshta më merr edhe mua me vete. Mungesa e Italisë në Botëror? Është një plagë, jam ndier keq kur kam parë Gigin në lot”.
Më pas, Totti ka zbuluar një prapaskenë të merkatos: “Nëse më ka telefonuar për të ardhur te Roma? Po, ai dhe Cannavaro. Do të më kishte pëlqyer t’i kishim në ekip. Goli më i bukur që i kam shënuar dhe pritja më e bukur që më ka bërë? Goli parabël kundër Parma-s dhe ai kundër Juve nga jashtë zone, sezoni 2012/13. Mes pritjeve zgjedh atë që më ka barë në minutat e fundit në Torino, kur ndeshja ishte 2-2, në 2003-in. Provova goditjen parabël, por ai e priti”.