Dosja e Shkëlzen Hasanpapës, i dyshuar si vrasës me pagesë i bandës rivale të Capjave në Elbasan, është kthyer në një mollë sherri në institucionin e akuzës në këtë rreth. Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimet për rastin në fjalë, pas lehtësimit të akuzave penale për këtë të pandehur. Nga vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, mbetur në tentativë mbi të janë ngritur vetëm akuzat e “plagosjes së lehtë me dashje”, “kanosjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”.
Dosja në fjalë është hetuar nga katër prokurorë dhe pas më shumë se dy vitesh, u dërgua në gjykatë kur Ardian Nezha ishte në ditën e dytë të punës si drejtues i caktuar i prokurorisë se Elbasanit.
Duke mos patur kompetence për vendimmarrje në çështjet hetimore, Nezha ka firmosur për dërgimin e çështjes për gjykim, por njëherazi ka informuar me memo kryeprokuroren. Këtë të fundit e vë në dijeni se dosja Hasanpapa ka probleme, pasi prokurorët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme dhe në fund, pozita e 20-vjeçarit është favorizuar ndjeshëm, pasi është dërguar për gjykim vetëm për plagosje, në një kohë që nga pamjet filmike duket qartë se ai ka qëlluar dhjetëra herë në drejtim të shënjestrave të tij, Florenc Çapja e Bledar Muça.
Gjithashtu është vendosur të ndryshohet edhe prokurori dhe dosja të kalojë ne duart e një tjetër prokurori. Për të verifikuar nëse ka shkelje për rastin në fjalë, Drejtoria e inspektimit ka tërhequr dosjen. Po për cilën ngjarje akuzohet Shkelzen Hasanpapa dhe si ra prokuroria në gjurmët e tij
Në qershor të 2016 në qendër të Elbasanit, Hasanpapa tentoi të vriste Florenc Capjan dhe mikun e tij Bledar Muca. Ai derdhi 20 plumba në drejtim të shënjestrave, të cilët shpëtuan, pasi makina me të cilën udhëtonin ishte e blinduar. Në ngjarje mbeti e plagosur një oficere policie. Shkëlzen Hasanpapa, u identifikua si autor i dyshuar i ngjarjes pas krahasimit të ADN, që iu mor prindërve të tij. Ai u arrestua në Holandë dhe më vonë u ekstradua drejt Shqipërisë.
Po ndërsa pritej që ai të përgjigjej për atentatin në zemër të qytetit, ku vuri në rrezik jetën e jo pak personave, prokuroria e akuzon për plagosje e kanosje. thotë se ai ka kryer vetëm plagosje të lehtë. Dosja “Hasanpapa” është tashmë në duart e gjykatësit të hetimeve paraprake, i cili pritet të vlerësojë nëse prokuroria e ka bërë si duhet punën në këtë rast. /BW/