Ky është shpallur si Viti i Skënderbeut dhe parashikohen aktivitete të shumta jo vetëm nga politika por edhe institucionet arsimore.
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Tiranë ka planifikuar një sërë aktivitetesh gjatë vitit. Në axhendën e Fakultetit parashikohet krijimi i një platforme të debatit shkencor për epokën dhe figurën e Skënderbeut.
Materiali i shpërndarë nga Dekani Sabri Laçi:
Viti i Skenderbeut
Së pari ju përshëndes dhe ju falënderoj që ju përgjigjët pozitivisht ftesës sonë.
Siç e dimë të gjithë, 2018-ta është shpallur nga Qeveria shqiptare si viti i Skënderbeut. Kjo, për simboliken që bart, është vetvetiu një ngjarje madhore për kombin tonë e po kaq për institucionet e dijes dhe të shkencës. Ne mendojmë që është detyrë dhe nder për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, si institucioni më i rëndësishëm dhe prestigjioz i studimeve Albanologjike në vend, që të japë kontributin e tij jo vetëm në rikthimin e vëmendjes së shqiptarëve tek figura shumëdimensionale e heroit tonë kombëtar, por edhe në krijimin e një platformë të debatit shkencor për epokën dhe figurën e Skënderbeut.
Në konceptin tonë ky debat shkencor do të synojë:
- Shkëputjen nga paradigma e vjetër dhe e ideolgjizuar e studimeve historike në përgjithësi dhe e studimeve për figurën e Skënderbeut. Edhe pse në dukje kjo paradigmë e ka vlerësuar figurën e tij, duke qenë e brendashkruar në një kontekst politik izolacionist, në thelb e ka reduktuar epokën e Skënderbeut dhe figurën e tij qytetëruese dhe politike në Europën e kohës.
- Sjelljeve e këndvështrimeve dhe kontributeve origjinale studimore në pasurimin e dijes për Skënderbeun dhe kohën e tij.
- Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është shndërruar me të drejtë në një mit ndërtues për kombin tonë, por paradoksalisht miti i tij në vend që ta hiperbolizojë realitetin historik e minimizon atë. Mendojmë se Skënderbeu është më i rëndësishëm se miti i tij.
- Skënderbeu dhe epoka e kanë të pashmangshme qasjen historizuese, por mendojmë se ai i shërben po aq mirë shoqërisë bashkëkohore shqiptare dhe elitës drejtuese sot, sa ç’u ka shërbyer arbërve dhe Arbërisë së kohës së tij.
- Skënderbeu është një personalitet europian dhe i ka shërbyer atij qytetërimi po aq sa edhe qytetërimit shqiptar. Asnjëherë si në kohën e tij Europa nuk ka pasur nevojë për Shqipërinë. Aleancat dhe diplomacia e tij janë edhe sot model për integrimin evropian të shqiptarëve. Historiani dhe gazetari i shquar italian e ka quajtur për këtë me të drejtë “poeti i madh i politikës shqiptare”. Mesazhi i tij themelor është se një vend i vogël jo domosdoshmërisht është i parëndësishëm në gjeopolitikën dhe zhvillimet botëror. Është mirë që ky dimension i tij të zbulohet para shqiptarëve dhe të tjerëve në përmasën e tij reale pasi do të ishte një terapi e mirë për të shëruar inferioritetin e padrejtë të shqiptarëve, të ngulitur përmes një procesi të gjatë historik.
Për këto arsye, dekanati i fakultetit ka vendosur:
- Zhvillimin e një serie veprimtarish që do të kulmojnë me një konferencë ndërdisiplinore, e para e këtij lloji që do të mbahet me 15-16 nëntor, në Tiranë.
- Konferenca do të jetë ndërkombëtare dhe synon të bëjë pjesë të një debati shkencor autoritetet botërore dhe kombëtare të fushave të ndryshme që e kanë si objekt studimi epokën dhe personalitetin e Skënderbeut.
- Konferenca do të bëjë një prerje prizmike përmes këndvështrimeve dhe qasjeve moderne të kërkimit shkencor që do të paraqitet në konferencë, në mënyrë që të mbetet referenciale për studime shqiptare dhe ndërkombëtare
- Aktet e kësaj konference do të bëhen të njohura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht përmes botimit dygjuhësh, shqip dhe anglisht.
Për realizimin e këtyre veprimtarive do të kërkojmë mbështetjen dhe bashkëpunim e të gjitha institucioneve kërkimore në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë, si dhe mbështetjen e institucioneve shtetërore.
Këtë nismë e ndërmorëm të bindur që kombi ynë dhe shoqëria jonë, të cilët janë të mbrujtur shpirtërisht me figurën dhe bëmat e Gjergj Kastriotit, e kanë po kaq të domosdoshme të tejkalojnë koracën ideologjike e mitologjike dhe, në një kontekst të ri, të rrokin përmasën reale të heroit tonë kombëtar, si një dobi e dorës së parë për bashkohësinë./a.m.