Përpjekjet e Kosovës për të suspenduar një gjykatë të krimeve të luftës të themeluar për të ndjekur krimet e kryera nga shqiptarët gjatë betejës së tyre për pavarësi po i kërcënojnë marrëdhëniet me aleatët e tyre perëndimor që e përkrahën shkëputjen e Kosovës nga Serbia, kanë paralajmëruar zyrtarë evropianë e amerikanë.
Në muajin dhjetor, një grup deputetësh, kryesisht veteranë të UÇK-së, tentuan të dërgonin në Parlament për votim suspendimin e ligjit të Kosovës që rregullon gjykatën. Megjithatë, votimi nuk ndodhi, por sponsoruesit e tij thanë ta kenë përkrahjen e presidentit Hashim Thaçi, i cili më parë është akuzuar për drejtim të një rrjeti të organizuar kriminal.
“The New York Times” shkruan se mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se paditë do të ndodhin shpejt dhe se disa figura kyçe politike mund të përballen me arrest. Kur ligjvënësit të kthehen të hënën pas pushimit dimëror dhe Parlamenti rimblidhet, SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe aleatët tjerë perëndimor do të vëzhgojnë.
Gjykata, nga fuqitë botërore, shihet si një parakusht qenësor për pajtim rajonal pas luftërave të përgjakshme të Ballkanit në vitet e ’90-ta. Por, përpjekjet për të ndaluar gjykatën para se të nisin edhe seancat dëgjimore, kanë tërbuar përkrahësit perëndimorë.
Ata kanë paralajmëruar liderët e vendit që të mos sabotojnë sundimin e ligjit, dhe kritikat më të ashpra kanë ardhur nga aleatët e vendit, të cilët rreth 19 vjet më parë ndërmorën fushatën bombarduese të NATO-s për ta shpëtuar Kosovën nga shtypja e dhunshme e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, ish-lideri i fuqishëm i Serbisë.
SHBA-ja tha më 4 janar, në një deklaratë të nënshkruar nga Gjermania, Britania, Italia e Franca, se çdo përpjekje për të ndaluar punën e gjykatës do të rrezikonte “gjithçka që Kosova ka arritur”.
“Është përplasja më serioze dhe më dramatike mes institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës dhe Perëndimit”, ka thënë Agron Bajrami, kryeredaktor i “Kohës Ditore”, një nga gazetat më të mëdha të Kosovës. Përpjekjet e vazhdueshme kundër gjykatës janë një sinjal “i panikut në mesin e radhëve të lidershipit të Kosovës”, thotë ai.
Dhe kundërshtimi i pazakontë i liderëve të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara – “mbrojtësit dhe kujdestarët e pavarësisë sonë”, thotë Bajrami – ndoshta është shenjë se “disa prej tyre presin të akuzohen”.
Disa ish-komandantë të UÇK-së, përfshirë Presidentin Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentarin, Kadri Veseli, thuhet se po udhëheqin përpjekjet për shfuqizimin e ligjit që rregullon gjykatën.
Disa qytetarë në Kosovë kanë shprehur brengat e tyre se liderët e tyre po punojnë më shumë për përfitime personale sesa për interesa nacionale. Shumë thonë se ish-ushtarët, që kanë dominuar qeverinë nga zgjedhjet e fundit, kanë dështuar të drejtojnë vendin, i cili ka një pakicë domethënëse serbe. Ata ankohen shumë për mungesë të mbrojtjes ligjore dhe të drejtave civile, bashkë me korrupsionin endemik dhe institucional.
Por, edhe në mesin e kritikëve më të zëshëm në mesin e shumicës shqiptare, është vështirë të gjesh ndonjë që do të kundërshtonte rolin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në çlirimin e vendit. Vendosja e tyre para gjyqit, shumë thonë, do të ishte si anulim i pavarësisë së Kosovës.
“Refuzojmë plotësisht gjykimin e pjesëtarëve të UÇK-së për krime në baza etnike”, thotë Albin Kurti, ligjvënës dhe ish-lider i partisë më të madhe opozitare, Vetëvendosje. “Është e dëmshme për vendin tonë brenda por edhe për kombin tonë jashtë” .
“E kemi kundërshtuar atëherë gjykatën, dhe do ta kundërshtojmë edhe tani”, ka thënë Kurti për “The New York Times”. Ai shtoi se lëvizja e tij, që ka 32 ulëse në Parlament, nuk do t’i pushojë përpjekjet e saja për t’i sjell para drejtësisë liderët aktualë të vendit për ato që thotë ai të kenë qenë “krime të kryera gjatë paqes”.
Gazeta amerikane tregon për raportin e task-forcës së BE-së e drejtuar nga diplomati amerikan, Clint Williamson, i cili thotë se i dyshuar për shkelje të ligjit ndërkombëtar është edhe tashmë presidenti i Kosovës, Thaçi, si drejtues i një rrjeti kriminal, “Grupi i Drenicës”. Thaçi i kishte mohuar akuzat.
Tre vjet më parë, pasi u bë President, ai u angazhua shumë në mbështetjen e ligjit për krijimin e gjykatës speciale. Tani, ai po i mbështetë përpjekjet për të ndalur gjykatën, pjesërisht për të mbrojtur veten, thonë ekspertët, dhe pjesërisht për të ruajtur narracionin e vjetër se shqiptarët e Kosovës ishin viktimat, e jo kryesit e krimeve të luftës.
Në një vendim të muajit dhjetor, ai kishte falur tre ish-pjesëtarë të UÇK-së të dënuar për vrasjen e një familjeje të tërë shqiptare më 2001 sepse babai dyshohej të ketë punuar me policinë serbe.
Nuk është e qartë nëse Parlamenti i Kosovës do të votojnë për shfuqizimin e gjykatës. Nevojiten dy të tretat e ligjvënësve për të kaluar anulimin e ligjit, sepse nevojiten amendamente kushtetuese, transmeton Koha.net.
Fuqitë perëndimore gjithmonë kanë qenë të bindura se Kosovë, sikurse edhe vendet tjera në rajon, duhet të pajtohen me luftërat ballkanike. Franca dhe Gjermania dërguan emisarë në Prishtinë, në atë që u duk si një përpjekje për t’u bërë presion liderëve që të përmbahen nga përpjekjet për të ndryshuar Kushtetutën.
“Çdo i dyshuar për krime lufte duhet gjykuar, pavarësisht etnisë apo nacionalitetit të tyre”, ka thënë James Ker-Lindsay, profesor i politikës dhe ekspert i çështjeve të Ballkanit në Universitetin St. Mary në Londër.
“Askush”, shtoi ai, “nuk duhet të shpëtojë nga krimet e luftës”.