Një ekip mjekësh specialistë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ndodhet në spitalin e Dibrës në kuadër të zbatimit të nismës më të fundit të qeverisë për patronazhimin e spitaleve në rrethe. Ndërsa në 1 shkurt do të nisë puna e ekipit të mjekëve nga Tirana, sipas një grafiku të mirëpërcaktuar në shërbim të pacientëve.
Në një prononcim për ATSH-në, Mirela Hasanaj, zv/drejtoreshë e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, jep detaje se si do të funksionojë procesi i patronazhimit të Spitalit të Dibrës.
“Bashkë me mjekët specialistë, Prof. Doktor Edmond Çelikun, kirurg, Prof. Doktor Ilir Ohri, reanimator-anestezist dhe doktor Dhimitër Kraja, infeksionist, jemi në Dibër, ku mbaruam pjesën e vëzhgimit të problemeve, të cilat ne do t’i përcjellim për zgjidhje”, tha Hasanaj për ATSH-në.
Në zbatim të nismës së qeverisë për patronazhimin dhe pajisjen e spitaleve rajonale me mjekë specialistë në qendrat spitalore që kanë mungesë të theksuar të këtyre mjekëve, siç është Dibra, Hasanaj informoi se QSUT ka 4 spitale në patronazh: Dibrën, Korçën, Elbasanin dhe Beratin.
Sipas saj, ajo që konstatohet në spitalin e Dibrës është mungesa e stafit mjekësor kirurg, reanimatorë, obstetër gjinekolog dhe mjekë infeksionistë.
Pjesa e medikamenteve dhe aparaturave, sipas Hasanaj, është në funksion të plotë, por nuk ka burime njerëzore. “Nga Tirana patronazhimi ka filluar. Kemi bërë listat e mjekëve sipas nevojave të çdo spitali rajonal dhe në 1 shkurt do të nisë patronazhimi i plotë me ekipe të plota mjekësh”, tha ajo.
Për pjesën e kirurgjisë, ku edhe ka më shumë nevoja, Hasanaj theksoi se është krijuar grafiku mujor me mjekë kirurgë dhe reanimatorë, që do të qëndrojnë për një periudhë 1- mujore në këto spitale, pasi sipas saj, “përveç ndërhyrjeve kirurgjikale, këta mjekë do të ndjekin edhe ecurinë post-operative të pacientëve. Ndërsa mjekët e tjerë, shtoi Hasanaj, “do të vijnë një apo dy ditë, sipas nevojave”./ata