Kryeministri Rama mblodhi dje kryesinë e Partisë Socialiste me fokus përfundimin e zgjedhjeve në PS e veçanërisht atë të kryetarëve të PS-së në çdo bashki.
Për shkak se një pjesë e kryetarëve kanë preferuar të mbajnë postin e drejtorit në administratë, vendi i tyre është vakant dhe për këtë duhet të bëhen zgjedhje me pjesëmarrjen e anëtarësisë.
Mësohet se kryetari i PS-së i ka kërkuar sekretarëve që të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur zgjedhjet në krye të bashkive.
“Të përfundojnë sa më shpejt, atje ku vendi është vakant, të votohet për kryetarin sepse zgjedhjet vendore vijnë shpejt dhe partia duhet të jetë e konsoliduar në bazë”, mësohet të ketë thënë Rama. Zëdhënësja e kryesisë, Elisa Spiropali, tha pas mbledhjes se qëllimi i saj ishte organizativ.
“Mbledhja e Kryesisë kishte disa funksione: organizimin e partisë, atë politik, por edhe axhendën qeveritare dhe të përparësive që qeveria e Partisë Socialiste ka për të çuar përpara në 2018-ën. Ne jemi të vendosur të ecim përpara me qeverisjen e vendit, jemi të vendosur të vazhdojmë komunikimin me qytetarët.
Ne e fituam mandatin e Qershorit 2017 në një koalicion me qytetarët, morëm një mandat kuq e zi dhe jemi të vendosur që ta vazhdojmë këtë koalicion të madh. Jemi të vendosur që të dëgjojmë qytetarët në qendër apo në periferi, në qytet apo në fshat, të gjitha problemet e fermerëve, të nëpunësve, të qytetarëve të papunë.
Të punojmë me vendosmërinë tonë për të bërë të mundur një ndryshim të qenë- sishëm në jetën e tyre. Jemi të vendosur për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për agjendën europiane të Shqipërisë”, tha Spiropali.
E pyetur për qëndrimin e opozitës, Spiropali tha: “Ne, pa diskutim, vëmë agjendën e Shqipërisë përpara agjendës politike të ditës. Fatkeqësisht, kjo nuk është retorika apo politika e opozitës: ata kanë vendosur të vënë interesin politik të ditës, mbi interesin kombëtar”.
Në mbledhjen e kryesisë socialiste, Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla, lajmëroi zhvillimin e zgjedhjeve për 13 krerë të Partisë Socialiste të bashkive për shkak se ata kanë preferuar të marrin një detyrë në administratë./Panorama