Prokurori i përgjithshëm i Arabisë Saudite ka konfirmuar se 11 princër nga familja mbretërore saudite janë arrestuar, për shkak të protestës kundër masave të kursimit në këtë vend.
Prokurori i përgjithshëm, Saud al-Mojeb, tha se 11 princër do të ballafaqohen me proces gjyqësor për akuza se e “kanë çrregulluar paqen dhe rendin publik”. Princërit ishin arrestuar pasi ishin mbledhur afër një pallati historik në kryeqytetin Riad, për të protestuar kundër vendimit të qeverisë që familja mbretërore tani e tutje duhet t’i paguajë faturat e energjise dhe të ujit.
“Përkundër se ishin të informuar se kërkesat e tyre nuk ishin ligjore, të 11 princërit kanë refuzuar të largohen nga hapësira, duke e çrregulluar rendin dhe paqen publike”, tha prokurori Mojeb.
Të arrestuarit po mbahen në burgun, Al-Hayer, me siguri të lartë, në jug të Riadit. Gjatë dy viteve të fundit, qeveria e Arabisë Saudite i ka implementuar një varg të masave të kursimit për rritjen e të ardhurave dhe për uljen e shpenzimeve, për shkak të rënies globale të çmimeve të naftës, që ka shkaktuar deficit të madh në buxhet, përgatiti Express. (b.an)