Analisti Besnik Mustafaj komentoi letrën që presidenti i Republikës Ilir Meta i dërgoi homologut të tij të SHBA-ve, Donald Trump, ku i shprehte qëndrimin e tij kundër votës së Shqipërisë në OKB. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24” Mustafaj theksoi se Meta me këtë letër tregoi diferencën nga kryeministri Rama, ndërsa shtoi se edhe presidenti është i vetëdijshëm se Trump s’ka për ta lexuar, shkruan ‘BalkanWeb’.
“Unë besoj se Meta e bëri konsum të brendshëm ndaj shqiptarëve. Pati një pakënaqësi për këtë votë. Meta me një lehtësi që nuk e ka në natyrë, mendoj se i erdhi rasti që të bëjë diferencën nga kryeministri. E di për hir të së vërtetës se Meta e di që Trump s’do e lexoj letrën. Kjo gjë zuri vend në mediat shqiptare, në rrjetet shqiptare”, tha Mustafaj.
Presidenti Meta ne nje interviste per ‘Opinion’ tha se nuk e kishte menduar kurrë që Shqipëria do votonte pro rezolutës së OKB që kundërshtonte vendimin e Donald Trump për shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
“Asnjëherë nuk kam menduar personalisht se mund të ndodhte një votim i tillë në një situatë të tillë kur kërkesat kanë qenë publike të bëra dhe nga Presidenti i SHBA-së dhe nga Ambasadorja e SHBA-së në OKB. Nuk ka pasur asnjëherë një rekomandim apo një sugjerim, apo udhëzim që Ambasadori ynë të dënojë një veprim sovran të SHBA. Qëndrimet e Shqipërisë për çështje të rëndësishme, të jenë të mirëkonsultuara. Për çështje të rëndësishme duhet konsensus i gjerë. Qëndrimet e Shqipërisë për çështje të rëndësishme sidomos në raport me aleatët tanë më të rëndësishëm duhet të jenë mjaft të qëndrueshme, të besueshme dhe të mirëkonsultuara. Pra, duhet të reflektojnë një konsensus madje jo vetëm shtetëror, por edhe një konsensus më të gjerë për arsye sepse kemi çështje të rëndësishme siç është ende çështja e Kosovës, çështjet e shqiptarëve në rajon të cilat na kërkojnë përgjegjshmëri të madhe për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare”, tha Meta dje.
ma.me