Nga Alfred Peza
Lulzim Basha ka mohuar çdo aleancë dhe koalicion të mundshëm të PD me LSI, gjatë një interviste në televizionin “Top Channel”. Por menjëherë pas këtij mohimi kategorik, ka ardhur pohimi se “ka një front të përbashkët opozitar të krijuar pas shpërthimit të skandalit Tahiri, në vetëdijen e të gjitha forcave politike, të PD e të LSI-së dhe të forcave të tjera politike, se e vetmja rrugë për tu përballur me këtë të keqe të madhe është lënia mënjanë e çdo diference tjetër dhe bashkimi për kauzën e drejtësisë dhe të qeverisë antimafia, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme”.
Përgjigja e dhënë nga udhëheqësi i opozitës është sa kontradiktore, po aq edhe e përgjithëshme. Eshtë kontradiktore sepse ajo e mohon specifikisht e në mënyrë kategorike, ekzistencën e aleancës dhe koalicionit me një parti tjetër opozitare, siç është LSI e Monika Kryemadhit. E nga ana tjetër, e pohon me fraza të përgjithëshme atë. Aq i kujdesshëm është që ti përfshijë mundësisht të gjithë brenda aleancës së tij, sa ato fjalë mund të thuhen edhe sot, edhe nesër. Edhe para, edhe pas festave. Edhe në 2017, edhe në 2018. Edhe para zgjedhjeve lokale të 2019 edhe pas tyre. Edhe para zgjedhjeve të përgjithëshme të 2021, edhe pas tyre.
Po pse ka frikë Lulzim Basha që ta pranojë dhe ta pohojë me gojën plot aleancën reale që ai ka me LSI, me Monika Kryemadhin dhe me grupin parlamentar të kësaj partie? A nuk kanë qenë bashkë gjatë pothuajse gjithë këtij viti politik? Që nga çadra, zgjedhjet e 25 qershorit, në shtator në Parlamentin e ri dhe deri tani tek seanca e votimit të Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm? A nuk janë mbledhur e takuar rregullisht në SHQUP? A nuk kanë bërë protesta të përbashkëta dhe a nuk kanë mbajtur qëndrime të njëjta? A nuk kanë përdorur të njëjtat kauza, argument, prova, fjalor dhe taktika të betejave të tyre parlamentare dhe jo vetëm, ndaj PS dhe kundërshtarëve të tyre brenda saj?
Pse ka frikë Lulzim Basha të artikulojë edhe me gojë, atë që pohon çdo ditë me vepra? Pse druhet që të pranojë jo vetëm praktikisht e gjatë aksionit opozitar në terren, por edhe politikisht e publikisht aleancën dhe koalicionin mes PD dhe LSI? A ka frikë se në këtë mënyrë, do të duket më i butë dhe më pak i përkushtuar se LSI dhe Monika Kryemadhi kundër PS dhe Kryeministrit Edi Rama? A ka frikë se do i kërkojnë një ditë llogari, se përse demokratët janë më pak luftarakë se aleatët e LSI si brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit? Apo frika nga përsëritja e gabimeve që bëri gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit, mund ti kushtoi po aq, në mos edhe më shumë gjatë fushatës së ardhëshme për zgjedhjet lokale të 2019?
Lulzim Basha u shpreh gjatë kësaj interviste me Sokol Ballën se “Partia Demokratike pretendon dhe po fillon të ndërtojë një aleancë vlerash me gjithë qytetarët, jo thjeshtë me faktorët politike, me intelektualët, me faktorët ekonomikë, me studentët, me të rinjtë dhe të rejat në veçanti në funksion të një zgjimi të madh kombëtar për tu përballur me të keqen dhe për të diktuar ne fundin e krimit të politikë dhe politikës të lidhur me krimin dhe politika e diktuar me krimin të diktojë fundin e Shqipërisë demokratike.”
Janë fraza që i kemi dëgjuar aq shumë herë gjatë atyre tri muajve të fjalimeve në “çadrën e lirisë” që ishte edhe selia e Republikës së Re, sa duket sikur çdo gjë është e vjetër në këtë pohim të ri. E reja e vetme, e madhe dhe e vërtetë, është ajo që ai po kërkon ta mohojë katekorikisht: Ekzistencën e aleancës dhe të koalicionit të tij e të PD, me LSI-në. Të paktën për vitin 2017, askush nuk ka iluzione për këtë. Nëse z. Basha ka dashur që nëpërmjet kësaj, të shprehte me zë të lartë një dëshirë të tijën, për vitin e ri politik 2018, kjo është një çështje tjetër. Kjo mbetet për tu parë. Prova e parë e madhe, e vërtetë e që e ndan këtë, është protestat opozitare e paralajmëruar për në javën e tretë të janarit. Deri atëherë… le të presim, se pushimet kalojnë shpejt.(Alpenews.al)