Përpos përjashtimit me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, Partia Socialiste ka një plan tjetër për të ndaluar përsëritjen e akteve të dhunshme në seancat plenare, duke disiplinuar dhe ndëshkuar deputetët që përfshihen në akte të tilla.
Plani është paralajmëruar nga kryetari i grupit parlamentar socialist dhe do të vihet në zbatim në muajin janar. Bëhet fjalë për miratimin, edhe në mënyrë të njëanshëm, pra vetëm me votat e shumicës parlamentare, të Kodit të Sjelljes së Deputetëve, në fillim të janarit. Taulant Balla ka deklaruar se, në mungesë të konsensusit me PD-LSI, PS do të miratojë në mënyrë të njëanshëm Kodin Sjelljes, si një tjetër masë për parandalimin e sulmeve në Kuvend.
Kodi i Sjelljes parashikon 8 rregulla sjellje, të cilat duhet të respektohen nga anëtarët e Parlamentit, në të kundërt, për çdo shkelje, do të merren masa disiplinore. Konkretisht, Kodi i ri i Sjelljes, i kërkuar nga ndërkombëtarët, parashikon që deputeti nuk duhet që të ndërmarrë veprime apo sulme personale ndaj ndonjë deputeti tjetër si dhe nuk duhet që të bëjë thirrje për përdorimin e dhunës në Kuvend. Gjithashtu, deputeti nuk duhet që të pengojë ose të cenojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit.
Këto rregulla janë parashikuar për të disiplinuar deputetët që nxisin apo dmostrojnë akte dhune. Ndërkaq, janë parashikuar edhe disa rregulla të tjera, të cila ndalojnë fyerjet në seancë plenare. Këto parashikime tingëllojnë për Sali Berishën, i cili artikulon në çdo seancë akuza të rënda në adresë të kryeministrit, ministrave dhe deputetëve. Kështu, Kodi i ri parashikon që deputeti nuk duhet të përdorë fjalë fyese që cenojnë personalitetin e drejtuesit të seancës.
Deputeti nuk duhet të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend si dhe nuk duhet që të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore. Një tjetër pikë parashikon që deputeti nuk duhet të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila promovon urrejtjen në bazë të racës, fesë, përkatësisë etnike, origjinës kombëtare, gjinisë, orientimit seksual, prejardhjes sociale, aftësisë fizike ose mendore. Deputeti nuk duhet gjithashtu që të shfaqë asnjë formë diskriminimi dhe stereotipizimi në gjuhën e përditshme, në fjalime politike, apo edhe gjatë diskutimit të projektakteve në Kuvend.
Ndëshkimi
Përmbajtja aktuale e Kodit të Sjelljes parashikon që në rast të shkeljes së këtyre rregullave, ndaj deputetit zbatohen masat disiplinore të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit. Kur nuk kemi të bëjmë me vepra penale, masat disiplinore që zbatohen ndaj deputetëve janë tërheqje vëmendjeje, vërejtje, përjashtim nga seanca plenare dhe përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 10 ditë.
Por, Kodi i Sjelljes po rishikohet nga deputetët dhe nisur nga ngjarjet e rënda gjatë seancës së fundit, kur u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme, priten parashikime më të detajuara të rregullave të sjelljes dhe ndoshta edhe ashpërsim të ndëshkimeve/ Burimi shqiptarja
a.ç