Zbardhet dëshmia e policit që vrau dje pas një konfliti kolegun e tij, me dy plumba pas qafe.
Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 19:10, kur shtetasi Naim Muliu, 55 vjeç, punonjës Policie në Dibër, vrau me armën e shërbimit Ardian Roçin, 51 vjeç.
Viktima mësohet se ishte me detyrë specialist i IT (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër). Paraprakisht, bazuar edhe në dëshminë e dhënë nga autori, i cili është vetëdorëzuar te kolegët e tij, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit ndërmjet tyre.
Efektivi që kreu krimin është vetëdorëzuar te kolegët, ndërsa siç mësohet ai ka qenë në gjendje mjaft të rënduar psikologjike dhe në pamundësi për të dhënë të detajuar atë çfarë kishte ndodhur.
“Ardiani më ka sharë rrugës duke debatuar. Mua s’më ka sharë askush deri më sot, aty e kam qëlluar”, ka thënë autori, i cili në momentin e krimit drejtonte makinën.
“Nuk doja ta vrisja. Nxora armën pas një konflikti që nisi, por nuk doja ta vrisja. Nuk di si ndodhi…”, është shprehur në Policinë e Dibrës efektivi i arrestuar.
a.ç