Nga Alfred Peza
Jehona e asaj çfarë ndodhi në Parlament të hënën, nuk pritet të shuhet aq shpejt, për aq kohë sa ende nuk është tretur nga “stomaku” i opinionit publik shqiptar, i politikës, medias, institucioneve ligjzbatusese dhe ndërkombëtarëve që monitorojnë zhvillimet tona. Gjithkush bën bilancin dhe nxjerr konkluzionet e veta, për një betejë që veç të tjerash, ndihmon për të formësuar identikitin e sjelljes politike të opozitës, deri në zgjedhjet e 2021. Një portret që i bën partitë të ballafaqohen me veten, elektoratin, reformën në drejtësi, të ardhmen e tyre dhe të vendit.
Ndonjëra prej partive opozitare apo faktorëve të tjerë jo politike pranë tyre, mund tu jetë dukur shfaqja politike e së hënës edhe si një fitore, kur mund të kenë marë inkurajimin dhe përgëzimin e të zemëruarve të vet. Por këto lloj fitoresh afatshkurtra shuhen shpejt, ndaj ato duhen parë e analizuar në kontekstin e pasojave afatgjata qe mund te sjellin në jetën e partive apo liderëve të tyre politike.
Në një vizatim të shpejtë, duket sikur kemi këtë tablo:
PD u shfaq si një parti që nuk e ka larguar protestën e dhunshme deri në ekstrem, nga ADN-ja e saj politike. Por, në ndryshim nga sa më parë, ka treguar se zotëron tashmë një vetpërmbajtje dhe moderacion, që nuk ka qenë kaq e perceptueshme. Pavarësisht se Salianjit i është dhënë detyrë këto dy ditë, që të përsërisë sa herë që për të sajohen dalje publike e mediatike, se janë penduar që nuk patën një reagim edhe më ekstrem brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit, ajo që mbetet është ajo që pamë të gjithë. Ndërsa deklaratat e tanishme, janë sa për të përkëdhelur sadopak militantët e inatosur, që e besonin vërtetë se Kryeprokurori i ri nuk do të zgjidhej atë ditë.
LSI me sjelljen e saj, iu largua përfundimisht edhe qetësisë, edhe dashurisë, edhe moderacionit, edhe vetpërmbajtjes. Duke iu rikthyer në këtë mënyrë veprimeve, gjuhës dhe sjelljes deri me penelata parapolitike. Më shumë sesa sjelljes së LSI së këtyre viteve të fundit, veprimet e mbështetësve dhe drejtuesve të saj, të kujtojnë ato të organizatave rinore të partive këtu e dy dekada të shkuara kur LSI ende nuk ishte një projekt partiak. Momentin më të vështirë, ndoshta LSI e ka kaluar kur Ilir Meta dhe 9 deputetë të tjerë u ngujuan në një grevë të paprecedentë urie në sallën e Kuvendit, këtu e rreth 10 vjet më parë, e ku sjellja politike e saj e atëhershme, ka qenë ku e ku më politike sesa sot.
Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka folur deri tani, me heshtjen e tij.
Ambasadori Amerikan, ka folur më qartë se çdoherë tjetër me veprimet e tij.
Ambasadorja dhe Bashkimi Europian kanë folur me takimet në Bruksel me Ramën përpara votimit dhe me deklaratën e qartë, më pas.
Kuvendi i Shqipërisë, shfrytëzoi maksimumin e mundshëm të dënimit që të lejon rregullorja për raste të tilla, duke lënë 7 deputetë të opozitës, për 10 ditë jashtë sallës së seancave plenare.
Ndërkohë që pas deklaratës së Kryeministrit, pak çaste pas votimit të Kryeprokurores së Re, qeveria ka preferuar që të vijojë punën dhe ti lerë organet ligjzbatuese që të veprojnë, e të kryejnë detyrën.
Një gjë është e qartë në gjithë këtë vizatim të shpejtë me laps. E vetmja që e ka tjetërsuar gati në shfytyrim portretin e vet politik, duket LSI, e cila gati nuk njihet më në raport me atë çfarë ajo ka investuar përgjatë 13 viteve të ekzistencës, të drejtuar nga Ilir Meta. Ndoshta ky ndryshim radikal qëndrimi dhe pozicioni, mund tu rezultoje pozitiv në bilancet e tyre aftagjata. Gjithësesi mbetet për tu parë e për tu testuar në zgjedhjet e ardhëshme. E sigurtë është një gjë. Origjinali i përmirësuar, i sjelljeve të fundit të LSI, është PD-ja vete. Nëse duhet që të zgjedhin, njerëzit përjetësisht kanë zgjedhur origjinalin, në vend të kopjes së shëmtuar.(Alpenews.al)