Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Gramoz Ruçi, priti sot në takim Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, zotin Talat Xhaferi dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Në këtë takim, dy personalitetet e larta shprehën kënaqësinë dhe vlerësuan rëndësinë e vizitave dypalëshe të nivelit të lartë, si një dëshmi e angazhimit të përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë. Në këtë kuadër, u çmua dhe mbledhja e parë e përbashkët e të dyja qeverive në Pogradec, si një moment kyç për bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal, që shënon nisjen e një procesi për të ndërtuar një mekanizëm të qëndrueshëm afatgjatë për ngritjen e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase në një stad të ri cilësor.
Në vijim të bashkëbisedimit të tyre, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Ruçi, dhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, zoti Xhaferi, trajtuan disa nga aspektet e zhvillimeve më të fundit në vendet respektive, me fokus në përpjekjet për integrimin në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, në takim u nënvizua nevoja për bashkërendimin e përpjekjeve të përbashkëta për integrimin në BE, si dhe rëndësia e zgjerimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat mbi bazën e kritereve të përbashkëta dhe komunikimit institucional.
Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Ruçi, dhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, zoti Xhaferi, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, duke iu përgjigjur dhe interesimit të medies:
Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi:
Përshëndetje të gjithëve! Sot pata nderin dhe privilegjin të pres delegacionin e shtetit fqinj maqedonas, të kryesuar nga Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, të cilin unë e kam ftuar para disa kohësh.
Gjatë takimit rikonfirmuam angazhimin tonë për të forcuar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe shumëpalëshe. Gjatë takimit ndamë të njëjtin vizion se Shqipëria dhe po ashtu Maqedonia duhet të anëtarësohen në organizmat euro – atlantike, sepse Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e sigurisë evropiane.
I konfirmova zotit Xhaferri se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë integrimin euroatlantik të Maqedonisë.
Shpreha kënaqësinë për rolin konstruktiv dhe shumë aktiv të aktorëve politikë shqiptarë në këtë proces, si edhe besnikërinë e popullit shqiptar në Maqedoni, brenda interesave të vendit të tyre dhe brenda interesave për të mirën dhe mirëqenien e tyre.
Shprehëm kënaqësinë dhe mbështetëm mbledhjen e fundit midis dy qeverive tona respektive si dhe ngritjen e Komitetit të Përbashkët të Bashkëpunimit të mëtejshëm Ekonomik.
Shpreh besimin tim se nisma për ligjin e gjuhëve, konkretisht të asaj shqipe, ta shohim sa më shpejt të miratuar nga institucionet e shtetit maqedonas dhe mandej implementimin “de facto” të tij.
Sigurisht gjatë takimit ramë dakord të inkurajojmë dhe të mbështesim projektet për ndërtimin e linjës ndërlidhëse prej 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Maqedonisë apo zbatimin e projekteve madhore për zgjatimin e rrugës së Arbrit në segmentin Bllatë – Shkup, si dhe atë të Korridorit të Tetë Durrës – Elbasan – Shkup.
Vlerësuam përpjekjet e Maqedonisë për ndërtimin e hekurudhës Kiçovë – Ohër dhe zgjatimin e saj për të lidhur Ohrin dhe Linin.
Ramë dakord që të dyja palët, të dy parlamentet tona, për adresimin e çështjeve të mbetura pezull, marrëveshjet e mëparshme midis institucioneve të shtetit maqedonas dhe atij shqiptar siçështë ai i problemit të adresimit të ujërave dhe ndikimi i tyre në mjedis; siç është rishikimit të ujërave kufitare; siç është ai i lehtësimit të qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve dhe për t’u ardhur në ndihmë këtyre ramë dakord që rikthimi i pikës kufitare dhe doganore të Qafë-Thanës të jetë pikë e përbashkët doganore dhe kufitare me qëllim që t’u vijë në ndihmë qytetarëve maqedonas dhe atyre shqiptarë, ashtu sikurse inkurajuam riaktivizimin e pikës kufitare të Zhapishtës me një regjim 24 orësh, si edhe rihapjen e linjës së trageteve Ohër – Shën Naum – Pogradec veçanërisht për periudhën e verës, apo problemi tjetër i çertifikimit dhe njohjen e ndërsjelltë të standardeve, veçanërisht për produktet bujqësore dhe elektorale.
Njëherësh, gjatë takimit ramë dakord që marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona kanë qenë shumë të mira, por intensifikimi i tyre për të shkëmbyer përvojat respektive, të komisioneve parlamentare të dy vendeve, të dy parlamenteve tona, të grupeve të miqësisë dhe të aparateve respektive në të ardhmen të intensifikohen me qëllim që përvojat respektive të lehtësojnë punën e parlamenteve dhe administratave tona.
Ju faleminderit!
Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, zotit Talat Xhaferi:
“Faleminderit ju, zoti Kryetar!
Lejomëni që fillimisht të shpreh kënaqësinë time për realizimin e kësaj vizite, që bëhet me ftesën tuaj. Edhe një herë konfirmojmë nivelin e lartë të miqësisë mes dy vendeve tona, në veçanti rolin e vendimeve te institucioneve përkatëse, duke iu referuar edhe vendimit të kësaj legjislature të Republikës së Shqipërisë në miratimin e ligjit të të drejtave të pakicave në Republikën e Shqipërisë, që përcakton drejt definimin e korpusit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve të saj. Kjo ndoshta është një nga urat lidhëse për thellimin e bashkëpunimit tonë të ndërsjellë mes dy vendeve dhe dy parlamenteve.
Para së gjithash shpreh kënaqësinë për nivelin e deritanishëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve, në aspekt të bashkëpunimit rajonal, për atë mbështetjeje që jepni në përpjekjet tona të përbashkëta për anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO të Republikës së
Maqedonisë dhe për përpjekjet e përbashkëta që bëjmë drejt rrugëtimit tonë për aderimin në Bashkimin Europian.
Në vazhdim, dëshiroj të theksoj se vizita që po realizojmë bashkë me delegacionin duhet të jetë vazhdimësi në frymën e praktikës së komunikimit ndërinstitucional, në veçanti të vendosjes së praktikës së komunikimit mes dy kryetarëve të parlamenteve në nivel vjetor.
Unë, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, do të përpiqem që në kuadër të mundësive të mia të jap kontributin maksimal që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të thellohet edhe më shumë në të gjitha sferat. Siç e përmenda më parë, si shtet jemi të vendosur të përqendrohemi në rrugëtimin e shoqërisë qytetare, të bazuar mbi mundësitë e barabarta të të gjithëve, me theks të veçantë në marrëdhëniet ndëretnike dhe duhet ta dimë që shumëllojshmëria na bën më të fuqishëm e jo më të dobët.
Në fund, bëj ftesë për bashkëpunim më të thellë, qoftë edhe përmbajtjesor në të gjitha sferat e mundshme të bashkëpunimit duke iu referuar obligimeve dhe të drejtave tona institucionale, në kuptimin e sendërtimit të mirëqenies dhe bashkëpunimit të qytetarëve tanë dhe vendeve tona mike.