Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një burg të Francës kur 23-vjeçar nga Shkodra, i cili prej dy vitesh ndodhej për azil, është dhunuar brenda ambienteve të burgut dhe tashmë ndodhet i shtruar në spital në gjendje kome.
Bëhet fjalë për shtetasin Florenc Beqiraj për të cilin mjekët thuajse nuk kanë dhë asnjë shpresë për mbijetesë.
Beqiraj kishte rreth dy javë që ndodhej në burg pasi ishte kapur duke punuar pa letra.
Autoritetet franceze thonë se 23-vjeçari ka tentuar të vetëvritet në burg, por tjetër gjë pretendojnë familjarët e tij, të cilët thonë se Florencin kanë tentuar ta vrasin dhe policia atje nuk ka bërë asgjë për ta shpëtuar.
Nga dëshmitë e të afërmve por edhe nga fotot e bëra publike i riu është mbytur nga një tel, që ka lënë shenjë në qafën e tij.
Sipas kushëririt të tij policia atje nuk jep asnjë shpjegim, dhe nga ana tjetër mjekët nuk kanë dhënë asnjë shpresë për të, duke kërkuar që ti shkëpusin aparaturat.
Izo Hasani, djali i tezes së Florencit, në një prononcim për gazetën “Shekulli”, tregon se kush ishte i riu dhe çfarë ndodhi me të.
Sipas Hasanit, Florenci ka dy vite që ndodhet në Francë ku dhe ka kërkuar azil, ndërsa mësohet se kjo kërkesë nuk i është pranuar.
Më tej ai rrëfen se kushëriri i tij ka qenë në punë si shitës rrobash, sipas tij, ai ka punuar si të gjithë azilantët e tjerë aty, në të zezë. Por polica e ka kapur duke punuar dhe e kanë mbajtur 2 javë brenda.
Gjatë kësaj kohe, sipas djalit të tezes, i riu i ka thënë policëve që aty duan ta vrasin, por askush nuk ka marrë masa.
“I ka thënë policëve që mua do më vrasin këtu. Gjithashtu ka marr pronarin e vetë në telefon dhe i ka kërkuar ndihmë, ai nuk ia ka varur dhe pas 2 ditëve, i ka ndodhur kjo punë.”- tha Izo Hasani.
Më tej, Hasani tregon se për në Francë është nisur edhe babai i djalit, por atë e kanë kthyer, ndërsa në spital me të janë dy shokët e tij dhe vajza e hallës.
Kjo e fundit ka bërë denoncimin në media për ngjarjen e ndodhur. Të afërmit e djalit kërkojnë që kjo situatë të zgjidhet dhe të dalin fajtorët, pasi sipas tyre 23-vjeçari nuk kishte asnjë arsye pse duhet të kryente vetëvrasje.
Ndërsa në trupin e tij ka shenja gërvishtjeje, që tregon që midis tij dhe dikujt tjetër ka pasur një dyluftim.
Izo Hasani rrëfen se ai ishte një njëri shumë i qetë dhe se në Francë ka shkuar për një jetë më të mirë. Sipas tij ai nuk ishte një i dënuar, por thjesht po priste datën kur do të kthehej në Shqipëri dhe kjo nuk është arsye për vetëvrasje. “Ne duam të drejtën e djalit tonë dhe të dimë si ka ndodhur kjo punë, ju lutem ta bëni tragjike këtë punë, sepse këta këtu nuk na japin asnjë shpjegim, ne duam vetëm të drejtën e tij, ju lutem.”-tha djali i tezes së 23-vjeçarit, Izo Hasani.