Nga Ylli Pata
Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Adriatik Llallës, duket se nuk është thjesht rastësi.
Pesë vjet më parë, SHBA ka investuar fort për ta mbështetur pasuesin e Ina Ramës, e cila ka pasur gjithashtu përkrahjen e ambasadës amerikane, por duket se ka mbetur e zhgënjyer.
Kjo shikohet qartë në një deklaratë të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, shef i së cilës ishte Aleksandër Arvizu, që i kishte dhënë kushte të qarta Adriatik Llallës.
Thelbi i këtyre kushteve ishte hapja e dosjeve të “peshqve të medhenj” për qeveritarët e akuzuar për korrupsion, për krerët e bandave, por edhe për vazhdimin e hetimeve për 21 Janarin.
Kjo shikohet shumë qartë po të lexosh deklaratën e ambasadës së SHBA-së të 7 dhjetorit 2012.
Deklaratë e Ambasadës së SHBA – 7 dhjetor 2012
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara uron Z. Adriatik Llalla për emërimin e tij si Prokuror i Përgjithshëm. Do t’i japim mbështetje të plotë përpjekjeve të tij për të kryer në mënyrë agresive ndjekjen penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shkeljet e zyrtarëve.
Gjithashtu, nxisim që ai të ushtrojë përpjekje maksimale për të përmbyllur me sukses gjyqin e atyre që ishin përgjegjës për dhunën e dënueshme të 21 janarit 2011. Duke punuar me Z. Llalla, Ambasada e Shteteve të Bashkuara pret me kënaqësi të mbështetet mbi sukseset dhe partneritetin konstruktiv që karakterizoi marrëdhënien tonë me paraardhësen e tij, Znj. Ina Rama”.
Pra shikohet në mënyrë të qartë që amerianët kanë kërkuar nga Llalla që të ecë para me hetimet e nisura nga Ina Rama në atë kohë për abuzimin e zyrtarëve të lartë.
Po kush ishin dosjet e hapura në atë kohë?
“Video-ja Meta-Prifti”, dosja “Gerdeci”, rruga Durrës-Kukës, skandali i naftës virxhin, hetimet e të dy palëve për 21 Janarin.
Por të gjitha këto dosje u mbyllën përfundimisht, çka e bën mjaft të vështirë hapjen e tyre për një kohë të dytë.
Nga deklarata e vitit 2012 shikohet qartë se SHBA ka pasur një limit besimi ndaj Adriatik Llalës, me të cilin kishin bashkëpunuar si kreu i ILDKP-së. Por besimi nuk se ka qenë i plotë, ndaj i kanë vendosur kornizat e një minimum për të ndërtuar besimin mes palëve.
Në 4 vjet Llalla jo vetëm që nuk i zhvilloi dosjet e vjetra, por mbylli edhe të rejat, ndërkohë që në vitin 2016 doli kundër reformës në drejtësi dhe akuzoi ambasadorin amerikan në Tiranë si “njeri të Sorosit”.
Fundi tashmë dihet…