Njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka zbuluar detaje të funksionimit të partisë së tij, pas përçarjes së VV’së. “Brenda Lëvizjes Vetëvendosje kemi pasur, dhe kemi një sekretariat të përgjithshëm, i cili e ka krijuar një diferencim brenda Lëvizjes”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV’së, teksa ka folur për punën e ish-sekretarit Dardan Molliqaj.
“Është krijuar diferencimi ndërmjet aktivistëve vullentarë, të cilët punojnë kudo nëpër struktura, degë, qendra, dhe pika të VV, dhe sekretariatit të përgjithshëm të aktivistëve, të cilët paguhen me rrogë, të cilët në njëfarë mënyre e kanë krijuar një shoqëri të mbyllur, dhe përpos që paguhen, e kanë pasur bukur një autoritet më të madh mbi qendrat”, ka treguar Aliu.
“Aktivistët të cilët deri dje kanë qenë të barabartë, në fazën e re ku janë aktivistë në sekretariat, kanë paga gjithnjë e në rritje”, ka thënë ai.Aliu ka thënë se kështu është krijuar “një diferencë e madhe ndërmjet një aktivisti në sekretariat, i cili ka një autoritet, madje edhe mbi kryetarin e një qendre”.
“Kemi pasur shpeshherë elemente të tilla të cilat kanë sjellë pakënaqësi brenda Vetëvendosjes”, ka treguar ai, përgatiti ”Express”. (b.an)