Olsi Rama ka premtuar goditje të mëdha në merkato për Partizanin. I ftuar në “Procesin Sportiv”, vëllai i kryeministrit, i cili tashmë është emëruar Drejtori i Përgjithshëm i klubit të kuq, ka thënë ndër të tjera edhe se ka mbetur i zhgënjyer nga futbolli shqiptar në fillim. “Drejtor i Përgjithshëm në klub, do të thotë të merrem me të gjithë aspektet, në anën administrative dhe sportive. Sapo e kam nisur si punë, por të merr shumë kohë”, deklaroi ai.
Dhuna
“E lidh me nivelin e sportit në Shqipëri, i cili nuk është në stadin e duhur, kryesisht nga infrastruktura. Ndryshe të shkosh në stadiumin e Shkodrës dhe ndryshe në Përmet, ku vetë infrastruktura nuk ka lidhje. E dënoj faktin kur shkoj në stadium e dëgjoj të shara.
Stadiumi duhet të jetë arenë feste, për vetë pasionin që kanë të pranishmit. Duhet të kishte sa më shumë femra, vajza e fëmijë për të kaluar momente festive. Kjo nuk ndodh, madje edhe unë si prind nuk do kisha guxim t’i merrja fëmijë me vete, pasi agresiviteti është ekstrem në stadium.
Ideja vetëgjyqësisë në futboll do të thotë që besimi ka humbur që në rrënjë”.
Pragndeshja me Teutën
“Nuk ndikova unë te lejimi i hyrjes së tifozëve në stadium. Kam përshtypjen se situata para ndeshjes me Teutën me tifozët ndodhi si rrjedhojë e ngjarjes së një nate më parë në “Asllan Rusi”. Mos marrëveshja mes dy grupime, pasi kishin një pakt mes tyre për të mos shkuar në ndeshje respektive dhe tifozët e Tiranës kishin tentuar të shkonin. Diçka jashtë normave, pasi dyert duhet të jenë të hapura për të gjithë.
Kërkesa për kartë identiteti nuk ishte bërë e ditur një ditë më parë, ndaj kjo e prishi spektaklin. Shqiptarët nuk e kanë për zakon ta mbajnë me vete kartën çdo ditë, ndonëse në Amerikë e mbajnë të gjithë me vete mjetin e identifikimit”.
Oficeri i sigurisë…
“Situata nuk është aq e zezë. Te Partizani gjeta struktura më të mira se sa i mendoja më parë. Është me detyrim për klubet që duan të marrin pjesë në Kupat e Europës të kenë oficerin e sigurisë, gjë që do kërkohet për sezonin pasardhës. Pra, klubi do të ketë njeriun që të merret me tifozerinë që të merret me problematikën e tyre. Kjo është e domosdoshme. Rregullat janë të rendësishme, plus marrëdhëniet mes palëve. Tifozi është i klubit, jo klubi i tifozit”.
Si e gjeta futbollin…
“Pas kthimit nga Amerika u zhgënjeva nga niveli i strukturave, lojës dhe kompeticionit. Ishin disa ndeshje që vetë tifozët qeshnin me ato që ndodhnin në fushë. Tani nuk ndodhin këto situata, por tregu nuk është aty ku duhet të jetë. Ka akoma shumë amatorizëm në bërjen e gjërave, mungon programimi. Duhet të funksionojë sistemi zinxhir, pasi akademia është e ardhmja.
Që Partizani të bëhet ekip i madh duhet të krijojë një akademi funksionale dhe të nisë programimin si klub. Pashë një ndeshje të U-19. Kishte disa lojtarë premtues, por jo të një nivelit për ekipin e parë. Duhet të jemi më shumë krijues talentesh, tu hapim dyert talenteve. Si basketbollist i përkas një brezi ku kishte një rregull që në ekip duhet të kishte me detyrim lojtarë me moshë 18-vjeçare”.
A do të ketë një bomber në të ardhmen?
Nuk duam vetëm një bomber. Do ketë më shumë se kaq…