Dita Kombëtare e Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë bashkë komunitetin amerikan në Tiranë dhe njerëzit në nevojë në një drekë të përbashkët.
Në një njoftim për mediat, bëhet e ditur se Bashkia e Tiranës dhe komuniteti amerikan shtuan një drekë me njerëzit në nevojë për Ditën e Falenderimeve.
Fetës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të ABI Bank, Andi Ballta, anëtarin e bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, drejtoreshën ekzekutive të Dhomës Amerikane, Enida Bezhani, si dhe biznesmenë e anëtarë të Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane, i shërbyen një drekë të veçantë njerëzve në nevojë që frekuentojnë qendrën sociale “Të qëndrojmë së bashku” në Kombinat.
Në urimin e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ditë të tilla janë një mundësi shumë e mirë për të njohur nga afër traditat, zakonet dhe vlerat kulturore që vendet tona përcjellin te njëri-tjetri, por edhe një mënyrë për të shërbyer dhe për të dhënë ndihmën për zgjidhjen e një problemi.
“Jam shumë i lumtur sot që na u bashkuan kaq shumë miq, këtu në qendrën sociale. Dita e Falenderimeve është një festë amerikane, megjithatë, për ne që kemi qenë studentë në Amerikë ose kemi jetuar aty, kjo festë na ka shoqëruar gjithë jetën. Është gjithmonë e enjtja e fundit e nëntorit, një mënyrë për të thënë faleminderit. Faleminderit Zotit, familjes, shoqërisë”, tha Veliaj.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i ABI Bank, Andi Ballta, u shpreh se “Dita e Falënderimeve për mua është një ditë shumë e veçantë, është dita kur mblidhesh rreth tavolinës, ha ushqim me njerëz që nuk i ke takuar për një kohë të gjatë dhe çfarë është më mirë se sa të vish dhe të takosh njerëz me kaq pozitivitet, që e shikojnë jetën përditë në mënyrë pozitive, me optimizëm dhe vijnë dhe gjejnë kënaqësinë në një komunitet që i do shumë”.
E enjtja e katërt e muajit nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihet zyrtarisht si Dita Kombëtare e Falenderimeve dhe festohet nga qytetarët amerikanë me familjarët për të falenderuar Zotin, Jetën, Miqtë dhe të Afërmit. “Një pjesë e shtetasve amerikanë që shërbejnë dhe punojnë në Shqipëri, zgjodhën që këtë festë tradicionale amerikane ta ndajnë me përfituesit e qendrave sociale në Tiranë”, thuhet ne njoftimin nga Bashkia e Tiranës.