Drejtori Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokuta në një intervistë për Report Tv deklaroi se nga viti 2014 deri në sot janë bllokuar 72 mln euro. Burimi i parave të pista sipas tij është trafiku i drogës dhe vjedhjet.
Arlind Gjokuta thotë se nga 2016 janë referuar në prokurori 411 raste për pastrim parash, por vetëm 8 prej tyre kanë përfunduar në gjykatë.
“Nuk ka sistem bankar perfekt lidhur me pastrimin e parave. Sistemi bankar garanton frenimin dhe detektimin e rasteve. Në vitin 2016 në Prokurori janë dërguar 411 raste të dyshimta për pastrim parash, por në gjykatë kanë përfunduar vetëm 8, ndërsa nga viti 2014 deri në sot kemi bllokuar 72 mln euro.
Burimi i parave të pista është trafiku i drogës dhe vjedhjet. Ligji për parandalimin e pastrimit të parave është i përafërt me atë të vendeve të Bashkimit Europian. Drejtoria është pjesë e Task-Forcave kundër krimit të organizuar” deklaroi ai.
Në muajt e fundit qeveria shqiptare ka nisur një aksion për identifikimin dhe bllokimin e të gjithë aktiviteteve kriminale dhe vendosjen para drejtësisë të personave që kanë përfituar.